Rama pranon shpenzimin 4 milionë euro për koncertin e Kanye West

Publikuar me datë:

Kryeministri Edi Rama pranoi publikisht se shteti shqiptar ka shpenzuar 4 milionë euro për koncertin e reperit amerikan Ye, i njohur më parë si Kanye West, duke rrëzuar deklaratat e mëparshme të ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili në Parlament kishte garantuar se angazhimi financiar i shtetit ishte “zero”.

Gjatë inspektimit të stadiumit të përkohshëm ku më 11 korrik pritet të zhvillohet koncerti, Rama sqaroi se fondi prej 4 milionë eurosh është përdorur për të garantuar realizimin e aktivitetit dhe infrastrukturën e nevojshme për pritjen e dhjetëra mijëra vizitorëve nga jashtë vendit.

“Ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat. Partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale. Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë, jo dhjetëra miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë që ne të garantojmë që ata mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga Europa, nga Amerika, nga Australia, 80 shtete”, deklaroi Rama, duke e cilësuar këtë shpenzim si një investim ekonomik për turizmin dhe jo si një kosto.

Deklarata e kryeministrit përbën një ndryshim të rëndësishëm nga qëndrimi zyrtar i mbajtur vetëm dy muaj më parë në Kuvend. Më 7 maj, gjatë debatit për aktin normativ mbi akcizën e karburanteve, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ngriti dyshime se shteti do të financonte ndërtimin e stadiumit të përkohshëm për koncertin e Kanye West dhe pyeti ministrin e Financave nëse ishin alokuar 50 milionë euro për këtë qëllim.

Ministri Petrit Malaj e mohoi kategorikisht çdo angazhim financiar të shtetit. “Ku e keni dëgjuar këtë shifër? I gjithë buxheti i Ministrisë së Kulturës është 70 milionë euro. Është fake news… Është zero”, deklaroi ai nga foltorja e Parlamentit.

Sipas kryeministrit, ndërhyrja financiare është justifikuar me ndikimin ekonomik që pritet të ketë eventi. Ai argumentoi se në Tiranë do të mbërrijnë vizitorë nga rreth 80 vende të botës dhe se efekti ekonomik do të jetë i krahasueshëm me atë të finales së Conference League, e cila sipas tij solli një rritje të ndjeshme të turizmit nga Holanda dhe Italia.

Koncerti i Ye është shndërruar ndërkohë në një debat që shkon përtej kostos financiare. Opozita ka kundërshtuar jo vetëm përdorimin e fondeve publike, por edhe vetë figurën e artistit që Shqipëria ka zgjedhur të promovojë si një atraksion turistik ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related