Një gjykatë në Kinë ka dënuar me vdekje ish-zyrtarin Yang Yulin, pasi u shpall fajtor për korrupsion në vlerën e rreth 325 milionë dollarëve gjatë një periudhe 30-vjeçare.
Sipas vendimit të Gjykata e Ndërmjetme Popullore e Changzhou, Yang u shpall fajtor për marrje ryshfeti, përvetësim fondesh publike, abuzim me detyrën, pastrim parash dhe dhënie ryshfeti.
Hetimet treguan se nga viti 1993 deri në vitin 2023 ai përfitoi në mënyrë të paligjshme para, prona dhe pasuri me vlerë mbi 2.21 miliardë juanë (rreth 325 milionë dollarë), në këmbim të favorizimit të kompanive në dhënien e projekteve, aktiviteteve tregtare, koncesioneve të tokës dhe financimeve.
Gjatë seancës gjyqësore, Yang pranoi fajësinë dhe shprehu pendesë për veprimet e tij. Gjykata urdhëroi gjithashtu sekuestrimin e pasurisë së tij personale dhe rikuperimin e shumës së përfituar nga ryshfetet.
Çështja është pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit të nisur nga Presidenti Xi Jinping. Megjithëse autoritetet kineze e paraqesin këtë si një përpjekje për të luftuar korrupsionin, kritikët argumentojnë se fushata është përdorur edhe për të eliminuar kundërshtarët politikë.
Yang Yulin është një nga zyrtarët e fundit të rangut të lartë të dënuar me vdekje për korrupsion në Kinë. Në vitin 2021, Lai Xiaomin u ekzekutua pasi u shpall fajtor për korrupsion, përvetësim fondesh dhe bigami, ndërsa në vitin 2024 edhe Li Jianping u ekzekutua për korrupsion dhe përvetësim.

