Rusia ka vendosur të mbyllë një segment të kufirit të saj me Bashkimin Europian. Me anë të një dekreti të firmosur nga kryeministri Mikhail Mishustin, qeveria ruse ka pezulluar pa një afat të caktuar lëvizjen e individëve, automjeteve, mallrave dhe dërgesave tregtare në shtatë pika kyçe kufitare me Finlandën, Estoninë dhe Letoninë.
Kjo masë u njoftua mbrëmjen e së martës në Moskë dhe ka hyrë në fuqi që nga dita e sotme. Ajo përfshin rajonin e Leningradit, dy pika kufitare në Kareli, kalimet mes Shën Petersburgut dhe Finlandës, si dhe rajonin e Pskovit, përfshirë kufirin midis Rusisë dhe Letonisë. Pikat e mbyllura janë disa nga nyjet më të rëndësishme të transportit hekurudhor mes Rusisë dhe Bashkimit Europian.
Dekreti nuk ofron asnjë shpjegim lidhur me arsyet e kësaj mase. Dokumenti përmban vetëm një vendim administrativ për mbylljen e pikave kufitare, pa sqaruar shkakun e ndërrimit të politikës.
Megjithatë, ky hap vjen në një periudhë ku marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian vazhdojnë të jenë të tensionuara për shkak të situatës në Ukrainë.
Një nga teoritë sugjeron se Kremlini mund të jetë duke provuar një bllokim më të gjerë të kufijve në të ardhmen. Një masë e tillë mund të shërbejë për të kufizuar daljen e qytetarëve rusë jashtë vendit, veçanërisht në rast të një mobilizimi të ri ushtarak, ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon dhe humbjet e forcave ruse mbeten në nivele të larta.
Një skenar tjetër mund të lidhet me presionin ekonomik. Përmes pikave kufitare me Finlandën kalojnë sasi të konsiderueshme plehrash kimike ruse, të cilat nuk janë përfshirë në sanksionet perëndimore. Ndalimi i këtij tranziti mund të prodhojë vështirësi për sektorin bujqësor në disa vende europiane, duke rritur presionin ekonomik mbi ato vende që ndodhen në kufi me Rusinë.
Për pasojë, ndikimet nuk do të ndalen vetëm te Bashkimi Europian. Mbyllja e këtyre korridoreve do të prekë gjithashtu rrugët tregtare drejt porteve të Baltikut, të cilat shfrytëzohen nga Kazakistani dhe Uzbekistani për eksportet e tyre në tregun europian përmes rrjetit hekurudhor rus.
Nëse këto rrugë mbeten të bllokuara, Moskën mund të forcojë ndikimin ekonomik mbi këto dy ish-republika sovjetike, duke i detyruar ato të negocionin sipas kushteve të vendosura nga Kremlini. E gjithë kjo lidhet me strategjinë që Rusia vazhdon ta argumentojë në kuadër të asaj që ajo e quan “Operacioni ushtarak special” në Ukrainë.

