Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi Valdrin Pjetrin si drejtorin e ri të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), duke kërkuar më shumë efikasitet, transparencë dhe përgjegjshmëri në trajtimin e dosjeve të qytetarëve.
Gjatë takimit me stafin e institucionit, Gogu theksoi se ATP është një nga institucionet më të rëndësishme të administratës publike dhe u kërkoi punonjësve të rrisin ritmin e shqyrtimit të dosjeve, duke vendosur objektiva të qarta dhe të matshme.
“Puna që bëni nuk është thjesht trajtim dosjesh. Është një proces që rikthen besimin te ligji dhe institucionet, duke u dhënë qytetarëve shpresën se shteti funksionon”, u shpreh ministri.
Ai kërkoi gjithashtu më shumë transparencë ndaj qytetarëve, në mënyrë që secili të mund të ndjekë ecurinë e kërkesës së tij, ndërsa vuri theksin te integriteti profesional dhe trajtimi i barabartë i çdo qytetari.
Sipas Gogut, çështja e pronës mbetet me rëndësi strategjike për vendin, pasi lidhet me shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, klimën e investimeve dhe procesin e integrimit europian.
Në krye të ATP-së, Valdrin Pjetri vjen me një eksperiencë të gjatë në administratën publike. Ai ka mbajtur më parë detyrën e drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ka shërbyer si prefekt i Qarkut Shkodër dhe ka ushtruar funksione të tjera drejtuese në administratë.
Me emërimin e tij në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, pritet një fokus më i madh në përshpejtimin e proceseve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët që presin zgjidhje për çështjet e pronësisë.

