Pjetër Logoreci kujton traditën shkodrane të festimit të ditës së emrit

Publikuar me datë:

Pjetër Logoreci ka ndarë një reflektim nostalgjik mbi traditën e dikurshme shkodrane të festimit të ditës së emrit, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme familjare dhe shoqërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Logoreci kujton se festat fetare, si Krishtlindjet, Pashkët dhe ditët e emrit, kremtoheshin me solemnitet dhe me pjesëmarrje të gjerë të familjarëve, miqve dhe të afërmve. Sipas tij, në këto ditë shtëpitë mbusheshin me vizitorë gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes, ndërsa tavolinat përgatiteshin me ëmbëlsira tradicionale, pije dhe ushqime për mysafirët.

Ai sjell në vëmendje atmosferën e veçantë të kohës, ku miqësitë, respekti dhe lidhjet familjare kishin një peshë të madhe në jetën e përditshme. Logoreci përmend edhe figura të njohura të qytetit dhe kujtime nga fëmijëria, të lidhura me bisedat e të rriturve dhe vizitat tradicionale gjatë festave.

Në fund të mesazhit të tij, ai krahason traditën e dikurshme me realitetin e sotëm, ku urimet shpesh kufizohen në disa fjalë apo emoji në telefon, duke shprehur mall për kohën kur familja dhe shoqëria ishin më të lidhura dhe festat kishin një dimension më të ngrohtë njerëzor.

Postimi i tij vjen në ditën e festës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit, një datë me rëndësi të veçantë për shumë familje shkodrane.

Shkrimi i plotë:

Dita e emnit ndër shkodranë.

Siç m’kujtohet prej fminisë, festat fetare ishin ditë me shej. Edhe pse n’fshehtësi, Kshndellat, Pashkët, por edhe dita e emnit festoheshin me t’madhe.

N’diten e emnit, e gjithë familja vishej mirë e pregaditej me pritë miqtë, që ishin t’shumtë. T’gjithë mbasditen, kur ishte ditë javet, deri vonë n’darkë, s’prajshin hymjet e daljet. N’dhomen e pritjes, nji kand i tavolinës ishte plot me amelcina e pije per me qerasë miqtë. Na fmijtë nuk mujshim me “prekë” ndër to, bile ishim t’porositun mos me ba si “t’shtimë” ndër sy t’miqve, se ishte marre.

Bombone, karamele, llokuma, amareti, e afër tyne shishja e rakisë, vermuthit apo vishnjakut. T’parët vijshin t’afërmit, kushrijtë, ndoj kojshi i vjetër e krushqitë, tek e tek, qi mos me ra n’sy, se kishte ndoj “hafije” qi qonte fjalë n’kshill ose te operativi i lagjes.

Nga darka, vijshin shokët e axhave, që ishin shumica nga familje t’njoftuna e zotnishë muslimane. Kujtoj Ahmetin, Thabitin, Surrinë, t’cilët gjithmonë ishin t’shoqnuem me zojat e tyne aristokrate.

Për mue, gzim i veçantë ishte ardhja e Lin Kamsit për Shna Rrok, mbasi gjithmonë e lutshe me m’tregue për Luigj Gurakuqin, për vrasjen e për teshat me plumba e gjak t’tijat. Shpesh ndodhte, qi për mos me ndie biseda “t’mdhajsh”, na fmijtë luteshim me dalë me luejtë n’kopsht ose n’oborr. E mbramja mbyllej me nji darkë familjare, ku hahej ndoj gja qi mungonte ndër ditë tjera. Ishin kohë t’vshtira, por familja ishte e bashkueme, miqsitë e zgjedhuna e me themel. Kjoftë për at’herë. Thjesht, m’erdhen ndër mend kto kujtime, mbasi sot mjaftojnë dy fjalë a rreshta n’telefon shoqnue me ndonji figurë me “krye” urimin (e ditëlindjes) qi i “detyrohesh” ndonji dashamirësit.

Për shumë mot Sh’Pjetrin e Sh’Palin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related