Autoritetet e Sigurisë Ushqimore në Maltë kane bllokuar dhe urdhëruar shkatërrimin e një dërgesë me produkte ushqimore që erdhën nga Shqipëria, pas identifikimit të shkeljeve të rregullave të sigurisë ushqimore gjatë inspektimeve.
Sipas Autoritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Ushqimore (FSSA), ngarkesa kishte shkuar në Maltë me një furgon përmes tragetit nga Siçilia, pas udhëtimit nga Shqipëria.
Inspektimet zbuluan probleme në një gamë të gjerë produktesh, përfshirë mish, kos, djathë, vezë, vaj ulliri, produkte të paketuara, pije freskuese, fasule, alkool, kripë dhe lëngje.
Autoritetet theksuan se disa nga produktet ishin transportuar në kushte termike të papërshtatshme, ndërsa të tjerët nuk dispononin etiketimin dhe dokumentacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë e tyre.
Për këtë arsye, e gjithë ngarkesa u mbyll menjëherë dhe do të asgjëshej, me synimin për të mbrojtur shëndetin publik dhe industrinë ushqimore vendase.
FSSA gjithashtu theksoi se nuk kishte marrë njoftim paraprak për mbërritjen e ngarkesës, ndonëse ligji kërkon që importuesit të informojnë autoritetet të paktën 48 orë përpara importit të produkteve ushqimore, kafshëve, ushqimit për kafshë apo bimëve.
Deri tani, sasia e plotë e produkteve ushqimore të sekuestruara nuk është bërë e njohur publikisht.

