Fluksi i lartë i automjeteve drejt qyteteve dhe zonave turistike në juglindje ka sjellë radhë të gjata dhe një situatë të rënduar të trafikut në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit-Elbasan.
Ky segment rrugor është një nga më të ngarkuarit gjatë sezonit veror.
Qindra automjete janë duke u përballur me pritje të zgjatura dhe lëvizje të ngadalta, me kolona që shtrihen për disa kilometra, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve.
Trafiku është bërë veçanërisht i rënduar në hyrje të Elbasanit dhe në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit, ku bashkohen disa akse rrugore dhe fluksi i mjeteve ndjehet në rritje të madhe.
Shumë qytetarë të kryeqytetit kanë zgjedhur fundjavën për të udhëtuar drejt destinacioneve turistike të juglindjes, si Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha, Voskopoja dhe zonat përreth, e duke përkeqësuar kështu qarkullimin që nga orët e para të pasdites së premte.
Përveç turistëve vendas, ky fluks është ndikuar edhe nga automjetet që transportojnë emigrantë dhe vizitorë që ndodhen në Shqipëri gjatë fillimit të sezonit veror.
Lëvizja e ngadaltë e mjeteve ka sjellë vonesa të mëdha, ndërsa temperaturat e larta kanë bërë që situata të jetë akoma më e vështirë për drejtuesit dhe pasagjerët, të cilët janë detyruar të presin për një kohë të gjatë në trafik.

