Shtetet e Bashkuara realizuan një marrëveshje për shitjen e naftës iraniane deri në fund të gushtit, pas bisedimeve që autoritetet amerikane përshkruan si “produktive” dhe që u zhvilluan gjatë fundjavës në Zvicër mes delegacioneve nga Uashingtoni dhe Teherani.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi mbi lëshimin e një licence të përgjithshme të përkohshme nga Departamenti i Thesarit, e cila ka një afat 60-ditor dhe lejon prodhimin, transportimin dhe shitjen e naftës iraniane në kuadër të një marrëveshjeje kornizë.
Siç sqaroi Bessent, kjo licencë përfshin gjithashtu importin në Shtetet e Bashkuara të naftës së papërpunuar dhe produkteve të tjera petrokimike të prodhuara në Iran. Megjithatë, transaksionet që lidhen me Korenë e Veriut apo Kubën janë të ndaluara sipas kësaj licencë.
Për më tepër, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance njoftoi se bisedimet në Zvicër kishin çuar në “përparim të rëndësishëm”, pavarësisht deklaratave të Iranit se kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Është sqaruar gjithashtu nga Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura të SHBA-së (CENTCOM) se Ngushtica e Hormuzit vazhdon të qëndrojë e hapur. Vance theksoi se Teherani kishte pranuar gjithashtu rikthimin e inspektorëve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Iran.
Bessent po ashtu konfirmoi se qeveria iraniane angazhohet për garantimin e kalimit të lirë dhe të pandërprerë të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Marina amerikane ka hequr bllokadën që kishte vendosur mbi portet dhe zonat bregdetare iraniane. Super tankerët iranianë, të cilët gjatë luftës kishin çaktivizuar sistemet e tyre të gjurmimit, tani kanë riaktivizuar transmetuesit dhe kanë nisur përsëri transportin e ngarkesave të naftës nga ky rajon.

