Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestat e zhvilluara gjatë fundjavës në Tiranë, ku sipas tij ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme edhe nga diaspora shqiptare.
Në një konferencë për mediat, Berisha i ka cilësuar tubimet si ndër më masivet në historinë e vendit, duke theksuar se ato përfaqësojnë një mesazh të fortë kundërshtie ndaj qeverisë dhe një mbështetje të gjerë për opozitën.
“Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike” – tha Berisha ndër të tjera.
“Jam këtu për të përshëndetur përzemërsisht dhe me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra apo qindra mijëra qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, që udhëtuan nga të katër anët e Evropës dhe botës dhe u bashkuan të shtunën dhe të dielën me dhjetëra mijëra qytetarë, duke i dhënë Tiranës dhe kombit një det të vërtetë shprese me protestën e tyre të paparë ndonjëherë.
Uikendi që kaloi, kryengritja paqësore më e fuqishme apo protesta paqësore më e fuqishme e njohur në histori mund të quhet si yikendi i diasporës, i atyre të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që udhëtuan mijëra e mijëra kilometra, nga toka, deti dhe ajri dhe u bashkuan me bashkëatdhetarët e tyre për largimin e regjimit autoritar më të egër që Shqipëria ka njohur pas diktaturës totalitare të Enver Hoxhës.
Ky akt madhështor ka mbushur me besim dhe shpresë zemrat e mbarë shqiptarëve dhe të kombit shqiptar.
Me vendimin dhe pjesëmarrjen e tyre, bashkëatdhetarët tanë nga diaspora në shumicë dërrmuese anëtare dhe mbështetës të PD, që zgjodhën të mbështesin protestën qytetare për rrëzimin e Edi Ramës, Pashiqit shqipfolës apo Çubrilloviçit që me qeverisjen e tij të keqe ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria dy herë më shumë se Pashiqi dhe Gjeorgjeviçi në zbatim të kësaj doktrine nga Kosova.
Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë, e bën fund e krye të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri”, tha Berisha.

