Gjatë periudhës parazgjedhore dhe paszgjedhore të 11 Majit 2025, fenomeni i futjes së vajzave eskortë për takime të veçanta në burgjet shqiptare ka shkaktuar hapjen e disa hetimeve penale nga prokuroritë e Durrësit, Fierit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe Tiranës.
Ky skandal ka marrë përmasa të konsiderueshme, sidomos gjatë zgjedhjeve, kur modele shqiptare dhe ato të huaja kanë arritur të shkelin protokollet e sigurisë, duke hyrë në dhomat speciale të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë sociale.
Prokuroritë e Korçës, Elbasanit dhe institucioneve të tjera përkatëse kanë nisur hetimet që prej muajit Korrik 2025, pas publikimit në media të një incidenti të dukshëm, ku u raportua për një takim të veçantë mes Laert Haxhiut, një të dënuar me burgim të përjetshëm, dhe modeles kosovare, Ziza Pajaziti.
Gazetari Elton Qyno, që ka qenë në ballë të zbardhjes së këtij rasti, ka identifikuar gjithsej 17 procedura hyrje-daljeje që janë tani nën hetim nga prokuroritë përkatëse.
Prokuroritë, që mbulojnë disa nga burgjet ku ka ndodhur ky fenomen, po ashtu kanë siguruar dokumentacionin përkatës dhe kanë pyetur individë të tjerë lidhur me situatën.
Juristët e burgjeve dhe drejtuesit e policisë së burgjeve janë thirrur për t’u sqaruar mbi mënyrën se si vajzat kanë arritur të tejkalojnë masat e sigurisë për të realizuar takime me të dënuar me rrezikshmëri të lartë.
Një nga rastet më të fundit të ngritura në diskutim nga deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ishte futja e një vajze, e cila sipas tij, ka qenë eskortë dhe ka hyrë në burgun e Peqinit për një takim të veçantë me një të dënuar.
Verifikimet e kryera kanë treguar se vajza ka arritur në ambientet e brendshme të burgut rreth Korrikut 2025, kur Edmond Llabani ishte drejtor i këtij burgu.
Llabani ishte emëruar drejtues i burgut të Peqinit në Prill 2025 dhe më pas, në 15 Janar 2026, ai u komandua si drejtor i burgut të Durrësit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka identifikuar gjithashtu këtë fenomen, duke raportuar materialet hetimore te prokuroritë përkatëse, të cilat aktualisht janë duke hetuar disa zyrtarë të lidhur me këto raste.
Mënyra më e zakonshme në të cilën këto vajza kanë hyrë në burg për takime speciale ka qenë përmes përdorimit të deklaratave noteriale të bashkëjetesës me të dënuar të ndryshëm, si avokate që janë zgjedhur nga vetë ata, ose si sociologe dhe psikologe. Ky fenomen i futjes së vajzave eskortë për takime speciale është përsëritur shumë herë gjatë periudhës parazgjedhore dhe paszgjedhore të 11 Majit 2025, në një kohë kur vendi ndodhej në kulmin e fushatës elektorale.
Nga Elton Qyno

