Pas deklaratave të bëra nga sportisti David Nikolli, Ministria e Sportit ka sqaruar se pretendimet e tij nuk janë të vërteta.
“Ministria konfirmon se David Nikolli nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në asnjë organ administrativ ose në ndonjë institucion shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Kështu, pohimi se i është hequr “puna shtetërore” është i pavërtetë dhe mungon çdo dokumentacion që ta mbështesë këtë. Gjithashtu, insinuatat lidhur me protestën janë të pasakta dhe të pabazuara.
Një fakt i njohur është se Nikolli jeton dhe ushtron karrierën e tij profesionale në Itali, pa qenë i punësuar në Shqipëri. Prandaj, pretendimet për një largim nga një vend pune shtetëror në vendin tonë janë të paqëndrueshme.
Dokumentacioni financiar tregon se sportisti ka përfituar mbështetje financiare si pjesë e statusit të sportistit të nivelit të lartë, e cila përfshin trajtim ushqimor dhe shpërblime sportive për periudhën 2024–2026, në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore të aplicueshme.
Për më tepër, Klubi Sportiv Partizani nuk e ka përjashtuar sportistin nga aktiviteti sportiv, duke i ofruar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit brenda strukturës së re të klubit, përmes lidhjes së një kontrate si sportist i këtij klubi. Sportistit i është kërkuar që të paraqesë një kërkesë zyrtare për shqyrtim nga organet drejtuese të klubit, në mënyrë që të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale.
Sa i përket pretendimeve për përfitime financiare të tjera, theksojmë se legjislacioni sportiv dhe aktet nënligjore përkatëse parashikojnë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime për sportistët e nivelit të lartë, duke përfshirë respektimin e rregullave antidoping kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pas verifikimeve administrative të kryera deri tani, nuk ka asnjë provë që tregon se sportisti është pjesë e sistemit kombëtar të regjistrimit antidoping ose se ka realizuar kontrolle antidoping siç kërkohet nga kuadri rregullator. Prandaj, çdo pretendim për përfitime ose shpërblime shtesë duhet të vlerësohet në përputhje me përmbushjen e plotë të kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara nga ligji sportiv.
Ministria e Sportit qëndron e angazhuar në zbatimin e legjislacionit sportiv, në trajtimin e barabartë të sportistëve dhe në mbështetje të tyre bazuar në fakte, dokumente zyrtare dhe procedura ligjore të në vigjilencë.
Ftojmë të gjithë aktorët e përfshirë që debatin publik ta mbështesin në baza faktike dhe dokumentacion të verifikueshëm, në interes të transparencës dhe integritetit të sportit, si dhe për informimin e saktë të opinionit publik dhe përgjegjësisë ndaj tij.”

