Ajri në Tiranë kap nivele alarmante të ndotjes/ Gazra toksikë dhe substanca kancerogjene

Publikuar me datë:

Nga maja e Dajtit, Tirana duket sikur merr frymë me vështirësi.

Në ditët kur qielli duhet të jetë i kthjellët, mbi qytet qëndron një shtresë gri e varur mes tokës dhe horizontit. Banorët e njohin mirë. E quajnë smog.

Për vite me radhë, ndotja e ajrit ka qenë pjesë e bisedave të përditshme, por shpesh ka mbetur një shqetësim i paqartë dhe i pamatshëm. Tashmë, vetë Bashkia e Tiranës i ka dhënë formë konkrete këtij realiteti përmes “Planit të Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit 2026-2040”, i hartuar nga Qendra e Monitorimit të Mjedisit dhe i diskutuar në Këshillin Bashkiak, i cili dokumenton nivele alarmante të grimcave të imëta, gazrave toksikë dhe ndotësve të lidhur kryesisht me trafikun urban.

Shifrat tregojnë se në disa prej nyjeve më të frekuentuara të Tiranës, ajri që thithin çdo ditë mijëra qytetarë rezulton të jetë disa herë mbi kufijtë e lejuar nga Bashkimi Europian.

Më problematik rezulton “21 Dhjetori” një nga nyjet më të ngarkuara të trafikut në kryeqytet.

Sipas monitorimeve të përfshira në plan, gjatë periudhës tetor-nëntor 2025 aty u regjistruan 102.8 mikrogramë për metër kub grimca PM10, më shumë se dyfishi i kufirit vjetor të Bashkimit Europian prej 40 mikrogramësh.

Në të njëjtën periudhë, niveli i grimcave PM2.5 arriti në 70.7 mikrogramë për metër kub, pothuajse trefishi i kufirit europian prej 25 mikrogramësh.

Pas tij renditet Rruga e Kavajës me 94.7 mikrogramë PM10 për metër kub, kryqëzimi i Rrugës së Dibrës me Bardhylin me 82.4 mikrogramë për metër kub dhe Zogi i Zi  me 64.7 mikrogramë për metër kub.

Në të gjitha këto pika, ndotja rritet ndjeshëm gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, kur kushtet atmosferike favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes së tokës.

Kontrasti me periferinë është i fortë. Në Petrelë, niveli i PM10 gjatë së njëjtës periudhë ishte vetëm 2.65 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Baldushk 8.11 mikrogramë.

Për grimcat PM2.5, Petrela regjistroi 1.74 mikrogramë për metër kub dhe Baldushku 5.78 mikrogramë.

Dallimi mes qendrës së Tiranës dhe zonave rurale matet me dhjetëra herë.

Ndotja e ajrit në Tiranë nuk matet vetëm me PM10 dhe PM2.5. Monitorimet tregojnë se në të njëjtat zona ku trafiku është më i rënduar regjistrohen edhe nivelet më të larta të dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës i lidhur drejtpërdrejt me gazrat e automjeteve. Në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” niveli i NO₂ arriti në 257.4 mikrogramë për metër kub, ndërsa tek Zogu i Zi në 217 mikrogramë për metër kub. Të dyja vlerat tejkalojnë disa herë kufirin europian prej 40 mikrogramësh.

Po aq shqetësuese janë edhe të dhënat për benzenin, një substancë e klasifikuar si kancerogjene. Tek “21 Dhjetori” u regjistruan deri në 42.8 mikrogramë për metër kub, më shumë se tetë herë mbi kufirin e Bashkimit Europian, ndërsa tek Zogu i Zi niveli arriti në 25 mikrogramë për metër kub.

Plani evidenton gjithashtu nivele shqetësuese të plumbit (Pb) në të gjitha pikat urbane të monitoruara, duke sinjalizuar ekspozim të vazhdueshëm ndaj një metali të rëndë me pasoja të njohura për shëndetin e njeriut.

Megjithatë, sipas specialistëve, rreziku më i madh vazhdon të vijë nga grimcat e imëta PM2.5.

Duke iu referuar evidencave shkencore dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pneumologu Jul Bushati shpjegon se këto grimca janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të madhësisë së tyre.

“Grimcat PM2.5 janë aq të vogla sa kalojnë në alveolat pulmonare dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut”, shpjegon ai.

Sipas Bushatit, niveli prej 70.7 mikrogramë për metër kub i regjistruar tek “21 Dhjetori” është rreth trefish mbi kufirin e Bashkimit Europian dhe gati pesë herë mbi rekomandimin e OBSH-së.

“Nivelet e PM2.5 prej 70.7 µg/m³ sipas studimeve përfaqësojnë një rrezik serioz për mushkëritë, duke rritur gjasat për inflamacion, përkeqësim të astmës, SPOK dhe rritje të rrezikut për kancer të mushkërive”, thotë ai.

“Ekspozimi i përditshëm ndaj ndotjes së ajrit është si një investim negativ në shëndet. Dëmtimi akumulohet ngadalë dhe mund të shfaqet pas viteve si astmë, bronkit kronik, SPOK apo sëmundje kardiovaskulare”, shton Bushati.

Shqetësimi nuk mbetet vetëm në nivelin e rrezikut teorik. Të dhënat e përfshira në Planin e Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit, bazuar në statistikat e INSTAT dhe ISHP, tregojnë se në Tiranë janë regjistruar mesatarisht 108 vdekje në vit nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes gjatë periudhës 2012-2019, pa përfshirë vitet e pandemisë.

Në vitin 2023, numri i vdekjeve nga këto patologji rezulton 91 raste. Dokumenti e trajton përmirësimin e cilësisë së ajrit si një element të rëndësishëm për reduktimin e barrës së sëmundjeve respiratore në popullatë.

Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, shpërndarja e pikave më të ndotura në hartën e qytetit e bën të qartë burimin kryesor të problemit.

“Kur sheh se pikat më problematike janë Ataturku, Karl Topia, Rruga e Kavajës apo nyje të tjera me trafik intensiv, e kupton menjëherë se burimi kryesor i ndotjes është trafiku rrugor” Olsi Nika

“Kur sheh se pikat më problematike janë Ataturku, Karl Topia, Rruga e Kavajës apo nyje të tjera me trafik intensiv, e kupton menjëherë se burimi kryesor i ndotjes është trafiku rrugor”, thotë ai.

“Në shumë segmente kemi ndërtesa të larta, rrugë relativisht të ngushta dhe qarkullim të dendur, duke krijuar atë që në literaturën mjedisore quhet ‘street canyon effect’. Ajri qarkullon më pak dhe ndotësit mbeten të bllokuar për më gjatë pranë nivelit ku ekspozohen qytetarët”, shpjegon ai.

Sipas Nikës, trafiku mbetet burimi dominues i ndotjes në nivel qyteti, ndërsa aktiviteti intensiv ndërtimor kontribuon veçanërisht në rritjen e grimcave PM10.

“Situata kërkon monitorim të vazhdueshëm të kantierëve dhe kontroll më rigoroz të emetimeve gjatë proceseve ndërtimore”, shton ai.

Urbanistja

Por për urbanisten Doriana Musai, ndotja nuk duhet parë vetëm si problem trafiku apo si pasojë e disa kantiereve të izoluara.

“Vetë raporti evidenton që burimet kryesore të ndotjes janë trafiku i rënduar dhe aktiviteti intensiv ndërtimor, për pasojë ndotja duhet lexuar jo si një fenomen aksidental, por si rezultat i drejtpërdrejtë i modelit të zhvillimit urban që Tirana ka përqafuar, sidomos në dekadën e fundit”, thotë ajo.

“Sa më shumë është densifikuar qyteti përmes ndërtimit intensiv, aq më shumë janë gjeneruar flukse të reja lëvizjeje”

“Sa më shumë është densifikuar qyteti përmes ndërtimit intensiv, aq më shumë janë gjeneruar flukse të reja lëvizjeje, automjete, shërbime dhe presion mbi infrastrukturën ekzistuese. Tirana nuk po përjeton thjesht rritje ndërtimore dhe rritje trafiku paralelisht; ajo po prodhon trafik përmes vetë mënyrës si po ndërtohet”

Sipas Musait, qyteti është densifikuar shumë më shpejt sesa është riorganizuar infrastruktura e lëvizshmërisë, duke krijuar një kontradiktë që reflektohet edhe në cilësinë e ajrit.

Në pothuajse të gjitha pikat e monitorimit, nivelet më të larta të grimcave u regjistruan gjatë periudhës tetor-nëntor.

Ekspertët e lidhin këtë me kombinimin e trafikut të rënduar, aktivitetit ndërtimor, përdorimit të sistemeve të ngrohjes gjatë muajve të ftohtë dhe fenomenit të inversionit termik, kur ajri i ftohtë mbetet i bllokuar pranë tokës dhe pengon shpërndarjen e ndotësve.

Përballë kësaj situate, Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan masash që parashikon krijimin e Zonave me Emisione të Ulëta (Loë Emission Zones – LEZ), elektrifikimin gradual të transportit publik, kufizimin e automjeteve më ndotëse, zgjerimin e rrjetit të biçikletave, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe monitorim më të rreptë të kantiereve të ndërtimit.

Pyetja reale nuk është nëse Tirana po vendos biçikleta apo pemë, por nëse modeli urban që po prodhohet redukton nevojën për makinë”, thotë Musai

Përmasa e problemit reflektohet edhe në faturën financiare të zgjidhjes. Për ta kthyer në realitet objektivin për ajër më të pastër, Bashkia e Tiranës ka vlerësuar se do të nevojiten rreth 71.6 miliardë lekë investime deri në vitin 2040. Dokumenti ndan 7.89 miliardë lekë për ndërhyrje afatshkurtra, 18.75 miliardë lekë për masa afatmesme dhe 45 miliardë lekë për projekte afatgjata, ku përfshihen elektrifikimi i transportit publik, zonat me emisione të ulëta dhe reduktimi gradual i burimeve kryesore të ndotjes në qytet.

Por edhe vetë ekspertët paralajmërojnë se suksesi i këtyre masave do të varet nga mënyra e zbatimit.

“Pyetja reale nuk është nëse Tirana po vendos biçikleta apo pemë, por nëse modeli urban që po prodhohet redukton nevojën për makinë”, thotë Musai.

Nga Dajti, smogu vazhdon të jetë aty.

Por sot ai nuk është më thjesht një perceptim vizual.

Në “21 Dhjetori” Zogu i Zi, Rruga e Kavajës apo tek kryqëzimi i Dibrës me rrugën “Bardhyl”, ndotja ka emër, adresë dhe shifra.

Dhe sipas të dhënave të vetë Bashkisë së Tiranës, vazhdon të thithet çdo ditë nga qindra mijëra banorë të kryeqytetit.

Nga Faktoje

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related