Edi Rama ka tentuar sërish të dezinformojë popullin në lidhje me votimin në Parlamentin Europian të rezolutës për Shqipërinë, ku u rrëzua me shumicë votash amendamenti për Sazanin dhe Zvërnecin..
Në një postim në rrjete sociale, Rama ka hedhur poshtë pretendimet se PE rrëzoi amendamentin për zonat e mbrojtura, ndërsa ka publikuar dhe një amendament, që sipas tij është në favor të tij.
Sipas tij, PE ‘ndau shapin nga sheqeri’ dhe nuk ekziston asnjë votim që të ketë rrëzuar ligjin për zonat e mbrojtura.
“Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”,- shkruan Rama.
Nga Bold News

