Që prej 12 ditësh, 34-vjeçari Eglant Koçi është shpallur i zhdukur, dhe deri tani nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij.
Përmes provave të mbledhura, Policia e Tiranës, pak ditë pas zhdukjes së tij, ka bërë të ditur se Koçi dyshohet të jetë eliminuar fizikisht nga mikun e tij, 41-vjeçarin Armand Shakaj.
Shakaj, i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë, është ende në kërkim. Për arrestimin e tij janë angazhuar jo vetëm forcat e Policisë së Tiranës, por edhe struktura të tjera policore. Kërkimi po zhvillohet në të gjithë territorin e Shqipërisë, me një punë intensive hetimore duke u përdorur metoda speciale, për të kapur 41-vjeçarin.
Kapja e tij mund të ndihmojë gjithashtu në gjetjen e trupit të Eglant Koçit, i cili dyshohet se është fshehur nga Shakaj në periferi të Tiranës. Megjithëse policia ka kryer kontrolle të shumta në fshatra, qytete, zona malore dhe vende të pyllëzuara, trupi i 34-vjeçarit ende nuk është identifikuar.
Sipas burimeve nga policia, Armand Shakaj ende fshihet brenda vendit dhe ka bërë ndryshime të mëdha në pamjen e tij për të shmangur kapjen. Burime të tjera kanë raportuar se ai ka prerë flokët dhe ka hequr mjekrën, duke përdorur metoda të ndryshme maskimi për të shmangur vëmendjen e policisë gjatë lëvizjeve të tij.
Hetuesit gjithashtu dyshojnë se ai mund të ketë kontakte me persona të afërt që mund ta ndihmojnë të qëndrojë i fshehur. Ai ka ndryshuar jo vetëm numrin e telefonit, por edhe telefonin celular, në përpjekje për të shmangur lokalizimin nga policia përmes IMEI-t të pajisjes.
41-vjeçari dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitet kriminal në sektorin e call center-ave dhe kishte në pronësi karta SIM me numra të huaj, të cilat mund t’i përdorë për të evituar gjurmimin nga autoritetet.

