Karriera, pasiguria ekonomike dhe ndryshimet në stilin e jetesës po ndikojnë gjithnjë e më shumë në vendimin e të rinjve për të krijuar familje, duke shtyrë moshën kur bëhen prindër për herë të parë.
Sipas të dhënave të Eurostat, gratë në Shqipëri sollën në jetë fëmijën e tyre të parë mesatarisht në moshën 27.5 vjeç gjatë vitit 2024. Kur merren në konsideratë të gjitha lindjet, mosha mesatare e nënave arrin në 29.6 vjeç.
Qytetarët e lidhin këtë fenomen kryesisht me vështirësitë ekonomike, por edhe me dëshirën e grave për të ndërtuar më parë një karrierë dhe për të siguruar pavarësi financiare.
“Dikur martoheshin më herët për shkak të kushteve ekonomike dhe familjare. Sot gruaja është më e pavarur dhe kërkon të realizohet profesionalisht përpara se të krijojë familje”, shprehen qytetarët.
Të tjerë theksojnë se kostot e larta të jetesës dhe pasiguria ekonomike i bëjnë çiftet të hezitojnë të sjellin fëmijë në jetë. “Nuk duan, sepse nuk kanë mundësi t’i mbajnë”, thotë një qytetar.
Në nivel europian, mosha mesatare e grave që bëhen nëna për herë të parë është 29.9 vjeç. Gratë bëhen nëna më herët në Bullgari, me një moshë mesatare 26.9 vjeç, ndërsa në Itali dhe Luksemburg ky vendim merret më vonë, përkatësisht në moshën 31.9 dhe 31.6 vjeç.
Raporti i Eurostat nxjerr në pah edhe rënien e vazhdueshme të lindshmërisë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2004, shkalla e fertilitetit ishte 1.86 lindje për grua, ndërsa në vitin 2024 ka rënë në 1.64 lindje për grua.
Niveli më i lartë i lindshmërisë në vend është regjistruar në vitin 2003, me mesatarisht 2.06 lindje për grua.
Megjithatë, ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Në të gjithë Evropën po vihet re një rënie e numrit të lindjeve, duke ndikuar në ngadalësimin e rritjes së popullsisë. Në vitin 2024, shkalla totale e fertilitetit në Bashkimin Evropian zbriti në 1.34 lindje për grua, niveli më i ulët i regjistruar në dy dekadat e fundit.

