Mes mijëra qytetarëve që kanë mbushur bulevardin përpara Kryeministrisë, një zë i veçantë ka ardhur nga Kosova, duke i dhënë një tjetër dimension revoltës mbarëkombëtare.
Një protestues i ardhur nga Prishtina ka marrë fjalën, duke bërë thirrje për qëndresë para qeverisë.
Me nota emocionuese, ai u kërkoi protestuesve në Tiranë që të mos zmbrapsen përballë pushtetit, duke i siguruar se vëllezërit nga Kosova janë në krah të tyre në këtë betejë.
“Kam ardhur nga Prishtina! Vetëm një lutje kam për ju, mos u dorëzoni, rezistoni dhe do fitoni! Kosova është me juve, Kosova është me nënën Shqipëri. Poshtë diktatura, rroftë revolucioni!”, deklaroi ai mes brohoritjeve të zjarrta të turmës.
Prania e shqiptarëve të Kosovës në këtë protestë është mirëpritur me duartrokitje të gjata, duke treguar se kauza për mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe kundërshtia ndaj modelit qeverisës ka tejkaluar kufijtë shtetërorë.

