Flamingot, protestat dhe hijet e projektit luksoz të familjes Trump në Shqipëri

Publikuar me datë:

Në një intervistë podcasti të publikuar këtë javë, Ivanka Trump foli për projektin e saj më të ri në fushën e pasurive të paluajtshme – atë që ajo e përshkroi si një “ishull privat të pabesueshëm dhe të bukur prej 1,400 hektarësh në mes të Mesdheut”, së bashku me rreth 8 kilometra vijë bregdetare shqiptare që synohet të shndërrohen në resorte dhe hotele luksoze.

Por projekti, i mbështetur nga vajza e presidentit amerikan dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, përfshin zhvillimin e planifikuar të një zone natyrore të mbrojtur përgjatë bregdetit përballë ishullit. Grupet e mbrojtjes së mjedisit thonë se zona tashmë ka pësuar dëmtime, pavarësisht se projekti ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Nisma ka nxitur protesta të mëdha në Tiranë, ku demonstruesit kanë mbajtur figura rozë flamingosh prej kartoni, duke pretenduar se habitatet e tyre po rrezikohen. Projekti ka shkaktuar gjithashtu reagime të forta në opinionin publik shqiptar, në një vend që vazhdon të ketë një nga nivelet më të ulëta të të ardhurave për frymë në Evropë.

Drejtori për Evropën i organizatës mjedisore BirdLife, Ariel Brunner, deklaroi se gjatë një vizite në fillim të majit në zonën natyrore, ai dhe kolegët e tij panë eskavatorë që po hapnin rrugë në plazh dhe kamionë që po hidhnin zhavorr.

“Nuk kishte asnjë tabelë informuese, as pranë lagunës ku po hapej rruga dhe as në plazh ku po punonin makineritë. Nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte licencë, leje apo edhe se kush po kryente punimet,” tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se projekti nuk ka nisur ende dhe se “vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces”, ndërsa vazhdon të mbështesë zhvillimin e vijës bregdetare shqiptare.

Çfarë dihet deri tani për projektin?

Komponenti i parë i projektit është Ishulli i Sazanit, një ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste, aktualisht e pabanuar.

“Po udhëtonim me varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Kështu e zbuluam. Notuam deri në ishull, u ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur,” tregoi Ivanka Trump në podcastin e podkasterit amerikan David Senra.

Zona e dytë është Pisha e Poros-Nartë, një segment i pazhvilluar plazhi që ndodhet brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosa-Nartë. Ajo strehon specie të rrezikuara si foka mesdhetare, breshka detare që ndërtojnë foletë në rërë, si dhe më shumë se 200 lloje shpendësh, përfshirë flamingot dhe pelikantë.

CNN kontaktoi fondin e investimeve private të Jared Kushner për projektin, por u orientua te kompania Sazan Real Estate Development LLC, e cila sqaroi se investitorët janë të përfshirë në kapacitet personal.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë e krijimit të një destinacioni të klasit botëror dhe realizimit të një prej investimeve private më të mëdha në historinë e rajonit. Fokusimi ynë mbetet te menaxhimi i përgjegjshëm, përmirësimi i mjedisit, krijimi i vendeve të punës dhe vlera afatgjatë për komunitetet lokale,” deklaroi kryetari i kompanisë, Asher Abehsera.

Kushner ka treguar se gjatë një udhëtimi me jaht pranë brigjeve shqiptare në vitin 2021, ai zhvilloi një takim me kryeministrin Rama dhe më pas nisën diskutimet për mundësitë e investimit. Në vitin 2024, ai publikoi në rrjetet sociale imazhe konceptuale të projektit.

Kritikët kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për konflikt të mundshëm interesi, duke qenë se Kushner shërben si i dërguar special i presidentit Donald Trump, ndërkohë që zhvillon aktivitete private biznesi.

Të mërkurën, Rama konfirmoi se Kushner dhe Ivanka Trump janë pjesë e projektit, por theksoi se në të përfshihen edhe investitorë dhe arkitektë nga Japonia, Danimarka, Turqia, Greqia dhe Franca.

Ai deklaroi se “nuk ka ende një projekt përfundimtar” dhe se ndikimi mjedisor po vlerësohet.

“Nuk ekziston ideja që familja e presidentit amerikan po merr nën kontroll zona të mbrojtura ku flamingot do të vriten,” tha Rama, duke shtuar se grupi i zhvilluesve ka kontraktuar ekspertë për studimin e ndikimit në mjedis.

Sipas tij, projekti nuk do të “hedhë beton mbi kokat e flamingove”, por do të dëshmojë se zhvillimi ekonomik dhe natyra mund të bashkëjetojnë.

Hetim nga SPAK dhe ndryshimet ligjore

Më herët gjatë javës, SPAK njoftoi mediat lokale se kishte hapur një hetim lidhur me projektin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Një pjesë e debatit lidhet me ndryshimet e vitit 2024 në legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura, të cilat lejojnë ndërtimin e resorteve luksoze brenda tyre. Ligji përjashton nga kufizimet “strukturat e ekselencës, me 5 yje ose më shumë”.

“Është e pazakontë të shkruhet drejtpërdrejt në ligj se resortet luksoze përjashtohen nga mbrojtja mjedisore. Është një nga tekstet ligjore më brutale që kam parë në karrierën time,” u shpreh Brunner.

Komisioni Evropian i tha CNN se ka shprehur shqetësime ndaj autoriteteve shqiptare për mangësitë e mundshme të projektit dhe për ndikimin që mund të ketë në zonat e mbrojtura.

Sipas Komisionit, Ministria e Mjedisit është angazhuar se punimet janë pezulluar, ndërsa hetimet e SPAK duket se shtrihen përtej çështjeve mjedisore.

Çfarë thonë protestuesit?

Aktivistët dhe qytetarët kanë protestuar prej javësh, duke kërkuar transparencë, publikimin e lejeve dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

“Projekti është shumë shkatërrues, pasi planifikohet të ndërtohet brenda një zone të mbrojtur, një prej ligatinave më të paprekura të Mesdheut,” tha biologu mjedisor Melitjan Nezaj nga organizata PPNEA.

PPNEA deklaron se një pjesë e dëmeve në dunat ranore janë tashmë të pakthyeshme dhe se punimet kanë bllokuar një nga dy kanalet që lidhin Lagunën e Nartës me detin, duke rrezikuar ekuilibrin ekologjik të zonës.

Në protesta janë shfaqur pankarta me flamingo dhe breshka detare, ndërsa qytetarët kanë brohoritur sloganin: “Shqipëria nuk është në shitje.”

Sipas BirdLife, organizata nuk është kundër çdo lloj zhvillimi bregdetar, por argumenton se ka zona të tjera të degraduara që mund të rigjallërohen pa dëmtuar ekosistemet e mbrojtura.

“Nëse shkatërron fizikisht habitatin, çdo specie që jeton në të do të zhduket,” tha Brunner.

Për shkak se dokumentet e projektit dhe lejet nuk janë bërë publike, ende nuk dihet saktësisht sa ndërtesa do të ndërtohen dhe cilat pjesë të zonës do të preken.

Megjithatë, vetë Ivanka Trump e ka përshkruar projektin si gjigant.

“Do të kemi hotele, resorte, qendra wellness – gjithçka. Madhësia e projektit është pothuajse marramendëse,” tha ajo, duke shtuar se në qendër të tij është komuniteti. “Nuk mund t’i imponohesh një vendi apo kulture; duhet ta kuptosh më parë për ta bërë zhvillimin në mënyrë të bukur, delikate dhe kuptimplotë.”

Nga Bold News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Sfida me Luksemburgun, publikohet formacioni i Kombëtares

Kombëtarja në 20:00 në Arenën Kombëtare do të sfidojë...

Zgjerohet protesta edhe në Elbasan, shtohet numri i qytetarëve kundër Ramës

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur edhe në Elbasan këtë të...