Në GJKKO u mbajt sot seanca e radhës në themel për gjykimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.
Në këtë seancë, SPAK përfaqësohet nga dy prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado. Seanca është shtyrë për mungesë të avokates së të pandehurit Meriman Palushi.
Vetë kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa kishte paraqitur një deklaratë ku kërkon të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, ish-deputet i PS, i cili ishte në seancë në rolin e mbrojtësit ligjor. Përveç Ndrecës, në seancë e pranishme ishte dhe avokatja kryesisht e Veliajt, Valentina Todoresku.
Kërkesa e Veliajt për të ndryshuar avokat, u kundërshtua nga SPAK me argumentin se Plarent Ndreca, gjatë fazës paraprake të hetimeve për kryebashkiakun, është marrë në pyetje si person në dijeni për çështjen.
Ish-deputeti ka replikuar duke thënë se deklarimet në fazën paraprake, nuk përbëjnë provë. Pasi trupi gjykues u tërhoq për vendim, legjitimoi Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt me argumentin se nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Sakaq, Veliajt pas 1 viti në izolim, me miratim të GJKKO-së, i janë dorëzuar në qeli 28 mijë faqe të 72 fashikujve të dosjes hetimore në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë. Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

