Një i paraburgosur ka ndërruar jetë, këtë të premte, në Reanimacionin Qendror në QSUT, në Tiranë.
Sipas informacioneve në media, rreth orës 14:10 të datës 3 prill 2026, ka humbur jetën shtetasi Medat Spahiu, 91 vjeç, për shkak të një embolie pulmonare dexter.
I ndjeri, i datëlindjes 10 prill 1935 dhe banues në Xhafzotaj, Durrës, ishte arrestuar më 14 mars 2026 për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”.
Burime zyrtare bëjnë me dije se më 17 mars ai ishte futur në IEVP Durrës nga Komisariati i Policisë Durrës, por për shkak të gjendjes shëndetësore ishte mbajtur nën kujdes mjekësor në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.
Më pas, në datën 19 mars 2026, ai është transferuar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, në pavijonin e pneumologjisë, ku ka marrë trajtim të specializuar.
Pas disa ditësh trajtim, më 31 mars 2026 është bërë dalja nga ky spital dhe më pas është shtruar në QSUT. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, duke bërë që në orën 22:34 të datës 2 prill të shtrohej me urgjencë në Reanimacionin Qendror.
Mjekët e kanë diagnostikuar me emboli pulmonare dexter, hipertension arterial, diabet mellitus, gjendje pas A.V.C. si dhe frakturë subtrokanterike në anën e majtë.
Sipas informacioneve, po zbatohen procedurat për rastin dhe janë njoftuar organet përkatëse dhe familjarët.

