Dy javë pushim, regjim shtrati, është ky rekomandimi i mjekëve të Shkodrës për drejtorin rajonal të AKU Shkodër, Ramir Hadëri, i goditur me sende të forta mbrëmjen e të enjtes në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të “8- katëshit” siç njihet në Shkodër, teksa Hadëri po i drejtohej banesës pas përfundimit të një mbledhjeje ku ishte i pranishëm. I kontaktuar nga ShkodraWeb, vetë Hadëri shprehet se nuk kujton shumë nga ngjarja pasi është sulmuar papritur dhe nga persona të maskuar.
Ai ka shtuar se momentin e sulmit e ka parë nga video që policia ka marrë nga kamerat e sigurisë të zonës ku Hadëri u sulmua. Ai thotë se shihen personat që e sulmojnë, teksa e godasinb edhe qytën e pistoletës në kokë.
I pyetur për pasojat e sulmit, ai thotë se ka qenë në spital edhe këtë të premte teksa më probleme ka me syrin e majtë, i cili i është dëmtuar mesa duket nga goditjet. Gjithsesi, ai nuk e ka idenë se nga kush mund të jetë sulmuar.
Nga ana e saj, policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, duke u përqendruar tek detyra që ka aktualisht Ramir Hadëri, teksa mësohet se ditën e djeshme, kanë mbërritur në drejtorinë rajonale të AKU edhe disa masa disiplinore për inspektorët të caktuar.

