Sot, më 20 maj, administratori i Universitetit të Shkodrës, Mark Molla, ka arritur zyrtarisht moshën e pensionit. Megjithatë, në vend që institucioni të vepronte sipas ligjit dhe me transparencë publike, Bordi i Administrimit ka vendosur, në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar dy ditë më parë, t’i shtyjë me një vit daljen në pension.
Ajo që e bën edhe më problematik këtë vendim është fakti se ai ende nuk është bërë publik, duke ngritur dyshime mbi ligjshmërinë dhe arsyet reale që qëndrojnë pas tij. Sipas burimeve pranë universitetit, të shtatë anëtarët e Bordit kanë votuar pro shtyrjes së pensionit të Mollës. Ndërkohë, vetë administratori mësohet se kishte kërkuar një shtyrje prej pesë vitesh, duke e lidhur këtë me mandatin pesëvjeçar të Bordit të Administrimit.
Në këtë situatë bie në sy edhe ndryshimi i qëndrimit të kryetarit të Bordit, Adrian Leka. Ai kishte votuar më herët kundër emërimit të Mark Mollës si administrator, por tashmë ka mbështetur qëndrimin për ta mbajtur në detyrë edhe pas mbushjes së moshës së pensionit.
Nga ana tjetër, rektori Tonin Gjuraj raportohet se ka qenë kundër këtij vendimi, ndërsa dokumenti zyrtar ende nuk i është vënë në dispozicion. Mungesa e transparencës dhe heshtja institucionale kanë shtuar pikëpyetjet mbi bazën ligjore të këtij akti.
Paralelisht, Bordi i Administrimit ka rrëzuar edhe raportin e Grupit të Punës të ngritur nga Ministria e Arsimit për verifikimin e procedurave të rekrutimit të stafit administrativ për vitin 2025. Raporti kërkonte anulimin e Vendimit nr. 215, datë 15.07.2025, pasi konsiderohej në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015 dhe, për rrjedhojë, nul dhe pa pasoja juridike.
Më shqetësues bëhet fakti se katër përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në Bord votuan kundër rekomandimeve të vetë Ministrisë që përfaqësojnë. Një veprim që ngre dyshime serioze mbi përgjegjshmërinë institucionale dhe ndikimet politike në universitet.
Në vend që të garantohet zbatimi i ligjit dhe meritokracia, Universiteti i Shkodrës po përfshihet gjithnjë e më shumë nga vendime të paqarta dhe lëvizje që perceptohen si klienteliste. Nëse shtyrja e pensionit është bërë në kundërshtim me ligjin, atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm për institucionet publike dhe një sfidë të hapur ndaj standardeve ligjore e etike në arsimin e lartë.
Kujtojmë se ndër vite, sapo kanë mbushur moshën e pensionit, shumë pedagogë dhe figura të njohura të arsimit shqiptar janë larguar nga auditoret në respekt të ligjit dhe për t’i hapur rrugë brezave të rinj. Ndërsa sot, Bordi i Administrimit vendos të mbajë në detyrë një administrator të pensionuar. Pyetja që shtrohet është: në interes të kujt po merret ky vendim dhe çfarë fshihet realisht pas kësaj lëvizjeje?

