Kliti Hoti i përgjigjet Becit: Askush nuk është kundër impiantit, por projekti ekziston prej vitesh

Publikuar me datë:

Deputeti demokrat Kliti Hoti i është kundërpërgjigjur sërish kryebashkiakut të Shkodër, pasi ky i fundit reagoi ndaj akuzave për ndotjen e lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, duke theksuar se tashmë ekziston një projekt madhor i financuar nga Bashkimi Europian dhe Zvicra për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza.

Në reagimin e tij, Hoti shprehet se studimi i fizibilitetit për impiantin ekziston prej vitit 2017 në bashkëpunim me KfW dhe se projekt-ideja, variantet teknike dhe financimi ndërkombëtar kanë qenë të identifikuara nga Bashkia Shkodër që në vitin 2019.

Deputeti demokrat ngre pyetjen se përse qyteti është detyruar të presë për vite të tëra, ndërsa sipas tij Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë vijuar të ndoten çdo ditë. Ai akuzon mazhorancën se në vend të përgjigjeve për “vitet e humbura”, zgjedh të sulmojë opozitën sa herë që ngrihen shqetësime për problematikat e qytetit.

Sipas Hotit, reagimi për ndotjen e mjedisit nuk është “dëshirë për lajm”, por detyrim institucional i një deputeti, ndërsa shton se askush nuk është kundër ndërtimit të impiantit, por nuk mund të paraqitet si sukses i ri një projekt që, sipas tij, ka vite në tavolinë.

Statusi i plotë:

Studimi i fizibilitetit për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Shkodër ekziston prej vitit 2017 në bashkëpunim me KfW. Variantet teknike dhe projekt-ideja janë hartuar prej vitesh dhe financimi ndërkombëtar ishte i identifikuar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2019.

Pse u desh që Shkodra të priste me vite, ndërkohë që Buna dhe Liqeni i Shkodrës vazhdonin të ndoteshin çdo ditë?

Në vend që të japin përgjigje për këto fakte dhe për vitet e humbura, zgjedhin të sulmojnë opozitën sa herë që ngrihet zëri për problemet reale të Shkodrës.

Shkodra është trajtuar me seriozitet nga Partia Demokratike si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje. Dhe pikërisht sepse bëhet fjalë për interesin afatgjatë të qytetit, nuk mund të heshtet përballë ndotjes së Bunës, degradimit të Liqenit të Shkodrës dhe zvarritjes për vite të tëra të projekteve që duhej të ishin realizuar me kohë.

Reagimi ndaj këtyre problemeve nuk është “dëshirë për lajm”, por detyrim institucional i çdo deputeti.

Askush nuk është kundër impiantit. Por nuk mund të paraqitet sot si sukses i ri një projekt që ka vite në tavolinë, ndërkohë që Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë vazhduar të ndoten çdo ditë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related