Avokatët padisin autoritetet franceze pas dhunës në protesta, raportohen të paktën 18 të plagosur nga armët e policisë

Avokatë që përfaqësojnë të paktën 18 persona të plagosur gjatë protestave të fundit në Francë njoftuan se do të ndjekin rrugën ligjore kundër ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez. Ata e akuzojnë ministrin për përgjegjësi në përdorimin e armëve të policisë që kanë rezultuar në dëmtime të rënda të demonstruesve.

Të premten, më 6 nëntor, gjatë një konference për shtyp, avokati Arié Alimi deklaroi se do të depozitohet një padi kolektive pranë Gjykatës së Drejtësisë së Republikës (CJR). Ky institucion është i mandatuar të shqyrtojë vepra penale të dyshuara të kryera nga ministrat gjatë ushtrimit të detyrës.

Alimi theksoi se ministri duhet të japë llogari për lejen e përdorimit të armëve që, sipas avokatëve, kanë sjellë gjymtime dhe pasoja të përhershme për protestuesit. Ata e akuzojnë Nuñez për autorizimin e përdorimit të mjeteve të rrezikshme policore, duke neglizhuar rrezikun ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Rreth dhjetë prej klientëve janë shprehur të gatshëm të bashkohen në padinë kolektive, ndërsa ekipi ligjor përfaqëson gjithsej të paktën 18 persona të lënduar në protestat e fundit.

Kjo nismë ligjore vjen pas një serie protestash që nisën fillimisht nga nxënës të shkollave të mesme, të cilët shprehën pakënaqësi për kushtet e mësimit, por më pas manifestimet u shtrinë edhe kundër situatës sociale dhe përdorimit të dhunës nga policia.

Sipas të dhënave të agjencisë AFP, së paku 20 persona – shumica adoleshentë – kanë pësuar dëmtime serioze që nga mesi i shtatorit, pasi janë goditur nga granata dhe pajisje të tjera shpërthyese të përdorura nga forcat e rendit.

Një nga incidentet më të rënda është ai i një të mituri 17-vjeçar, i plagosur në Saint-Étienne më 17 tetor, gjatë një proteste. Ai pësoi dëmtime të rënda në dorë nga një granatë policie. Avokati i tij, Yassine Bouzrou, ka ndërmarrë veprime të veçanta ligjore, duke paraqitur ankesa si ndaj efektivit të përfshirë, ashtu edhe për përgjegjësinë e pretendentuar të ministrit të Brendshëm.

Ngjarjet janë ndriçuar më tej nga një investigim i publikuar në gazetën “Le Monde” më 5 nëntor, i cili dokumentoi natyrën e dëmtimeve të pëshkaktuara gjatë protestave. Sipas raportimit, tre persona kanë humbur një dorë, ndërsa katër të tjerë kanë pësuar dëmtime të rënda në sy.

Këto ngjarje kanë rritur polemikat mbi proporcionalitetin në përdorimin e armëve nga policia për menaxhimin e turmave dhe rrezikun që ato përbëjnë, sidomos kur të rinjtë ndodhen përballë forcave të rendit.

105 hetime për dhunë policore

Protestat, që filluan si një kërkesë për përmirësimin e kushteve në shkolla, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë të pakënaqësisë sociale. Përkeqësimi i kushteve të jetesës dhe akuzat për përdorim të tepruar të forcës nga policia kanë bërë që të përfshihen edhe grupe të tjera të shoqërisë.

Forcat e policisë janë kritikuar ashpër, veçanërisht për mënyrën e ndërhyrjes më 17 dhe 18 tetor gjatë protestave. Sipas një burimi të cituar nga AFP, deri në 30 tetor janë inicuar 105 hetime të brendshme lidhur me akuzat për brutalitet policor.

Prej tyre, 52 raste kanë të bëjnë me protestat e nxënësve të shkollave të mesme, 48 me demonstratat e mëdha të 17 dhe 18 tetorit, ndërsa pesë të tjera lidhen me ngjarjet e 24 tetorit.

Avokatët e bazojnë ankesën e tyre te përdorimi i lëshuesve të predhave me sfera dhe granatave shpërthyese, të cilat janë kritikuar prej kohësh nga organizatat e të drejtave të njeriut për rrezikun e madh të shkaktimit të plagëve të rënda dhe të përhershme.

Ata theksojnë se përgjegjësia nuk i takon vetëm efektivëve në terren, pasi përdorimi i këtyre armëve miratohet nga urdhra dhe instruksione operative të nxjerra nga Ministria e Brendshme.

Kjo çështje ka rihapur debatin mbi ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e taktikave të policisë franceze në menaxhimin e protestave, në një periudhë të shoqëruar me tensione sociale dhe politike, më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe