Tri vrasje të rënda tronditën Dukagjinin gjatë verës, por ende zyrtarisht nuk jane zbardhur.
Drejtori i Policisë Vendore të Shkodrës, Dashamir Spaho, u pyet sot nga gazetarët në lidhje me ecurinë e hetimeve për këto ngjarje, ku humbën jetën Aleksandër Koçeku në muajin korrik dhe babë e bir, Prekë e Lekë Gjoni, në gusht.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ka autorë për tri vrasjet e bujshme në Dukagjin, Spaho deklaroi se hetimet vijojnë
“Po vijojnë hetimet. Jemi në pistën e duhur…”, u shpreh drejtori i Policisë
Në muajin korrik, 40-vjeçari Aleksandër Koçeku ka mbetur viktimë e një sulmi me armë zjarri në Dukagjin të Shkodrës, teksa po udhëtonte me automjetin e tij. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi viktima është vëllai i Artan Koçekut, i cili është në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit në vitin 2017.
Në muajin gusht, mbi 50 plumba nga dy karikatorë kallashnikovi dyshohet të jenë lëshuar ndaj fuoristradës ku udhëtonin babë e bir, Prel dhe Lekë Gjoni, 82 dhe 57 vjeç, të cilët u vranë në Dukagjin. Me ta ishte dhe një person i tretë, i cili mbeti i plagosur rëndë, Lazer Bashi, pasagjer në sedijen e pasme të automjetit, i njohur i familjarëve të vrarë.

