Megaoperacion në Shkodër! 265 kg kanabis të sekuestruara, 4 të arrestuar dhe 3 në kërkim

Publikuar me datë:

SHKODËR – Policia e Shkodrës ka finalizuar megaoperacionin antidrogë të koduar “POLINOMI”, pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 mina të dyshuara antitank, 7 celularë dhe 6 automjete.

Në pranga kanë rënë katër shtetas: Admir Selgjekaj, 38 vjeç, Elsid Ramci, 25 vjeç, Bujar Kukaj, 56 vjeç, dhe Naim Kukaj, 52 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Esat Kukaj, 58 vjeç, Denjan Kukaj, 23 vjeç, dhe Anarldo Mulleti, 39 vjeç.

Sipas Policisë, shtatë personat dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me prodhimin, magazinimin, paketimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, me destinacion tregun vendas dhe atë të huaj.

Ndërhyrja policore u zhvillua në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, ku u ndalua një automjet tip “Volksvagen Passat”. Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesat e dy vëllezërve të arrestuar, Bujar dhe Naim Kukaj, u gjetën dhe u sekuestruan 265.4 kilogramë kanabis, të përgatitura dhe të paketuara për shitje e trafikim.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të Bujar Kukajt u zbuluan edhe dy mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminim.

Nga hetimet paraprake, sipas Policisë, rezulton se familjarët Kukaj merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike, ndërsa tre personat e tjerë dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Policia e Shkodrës vijon kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Të dhënat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në konferencën për shtyp të drejtuesit Dashamir Spaho. Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related