Mir Bruli, biznesmeni nga Velipoja dhe pronari i resortit turistik “Ara e Vjetër”, është transportuar nga burgu i Fierit drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, 58-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër.
Bruli u arrestua më 17 maj 2024 në Velipojë, në kuadër të një operacioni të zhvilluar me urdhër të SPAK-ut, gjatë të cilit u lëshuan 50 urdhër-arreste në disa qytete të vendit.
Më 29 prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme e dënoi me 9 vite burg, dënim që u ul në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Çështja është ende në pritje të një vendimi përfundimtar nga Apeli i GJKKO-së.
Bruli u shpall fajtor për transportimin në mënyrë të paligjshme nga Mali i Zi drejt Shqipërisë të disa personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Biznesmeni është i afërm i Pëllumb Gjokës, i arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Posaçme për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave, ndërsa përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor për akuza që lidhen me vrasje dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e tyre.
Hetimet ndaj Gjokës dhe personave të tjerë u mbështetën, ndër të tjera, në të dhënat e aplikacionit të koduar Sky ECC, të administruara përmes një dosjeje të ardhur nga Franca.

