Gazetari i njohur gjerman Michael Martens, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk varet nga qëndrimi në pushtet i Edi Ramës, por nga funksionimi i strukturave demokratike dhe vullneti politik për integrimin evropian.
Duke komentuar raportin mes qëndrimit të gjatë të liderëve në pushtet dhe demokracisë, Martens solli si shembull ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila qëndroi 16 vite në krye të qeverisë gjermane, por theksoi se stili i saj i qeverisjes ishte krejt i ndryshëm.
Sipas gazetarit, procesi i integrimit evropian nuk mund të varet nga një individ i vetëm, ndërsa vlerësoi se Shqipëria dhe Kosova janë ndër shoqëritë më proevropiane.
‘Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk varet nga fakti nëse Edi Rama është apo nuk është kryeministër. Anëtarësimi nuk varet nga një kryeministër. Kushdo që thotë se varet vetëm prej tij apo prej saj jeton në shekullin e gabuar, nuk jemi në kohën e mbretërve’, u shpreh Martens.
‘Një vend i cili ka një udhëheqës të përjetshëm do të thotë se ka ca mangësi në demokraci. Por gjithnjë varet se kur themi mjaft. Unë vij nga Gjermania, ku Angela Merkel kishte 16 vite në pushtet, pra më tepër se Edi Rama dhe më tepër se Vuçiç.
Sigurisht që stili i saj i qeverisjes ishte tërësisht ndryshe, por në fund njerëzit thjesht thanë se mjafton me kaq. Unë nuk besoj se hyrja në Bashkimin Evropian apo moshyrja në Bashkimin Evropian varet nga vetëm një politikan, por varet nga vullneti politik i bashkësisë së njerëzve.
Dhe me sa di, Kosova dhe Shqipëria janë shtetet dhe shoqëritë më pro-evropiane, dhe ndonjëherë ngjajnë se janë më tepër pro-evropiane se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, shikoni çfarë po ndodh në Francë apo në vende të tjera.
Pra, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk varet nga fakti nëse Edi Rama është apo nuk është kryeministër. Dhe ecuria e anëtarësimit të Malit të Zi nuk varet nga një apo një tjetër politikan, por varet nga strukturat demokratike, dhe në qoftë se brenda këtyre strukturave demokratike ka një shumicë e cila vepron për të arritur këtë qëllim.
Dhe në Mal të Zi kemi parë ecje përpara, në Shqipëri gjithashtu, ndoshta jo me të njëjtin progres si në Mal të Zi. Pra, anëtarësimi nuk varet nga një lider. Kushdo që thotë se varet vetëm prej tij apo prej saj jeton në shekullin e gabuar, nuk jemi në kohën e mbretërve.
Rrëzimi i Vuçiçit na mëson se edhe një udhëheqës i cili kontrollon të gjitha institucionet, ose të paktën pjesën më të madhe të institucioneve në vendin e vet, që kontrollon të gjithë median ose pjesën më të madhe të mediave, dhe i cili ka lidhje me biznesmenë të fuqishëm, nuk mund të garantojë pushtetin e tij të përjetshëm.
Çka është diçka shumë pozitive në Evropë, që do të thotë se zgjedhjet mund të sjellin ndryshime. Le të mos harrojmë se Vuçiç nuk u rrëzua me revolucion. Patjetër që protestat ishin arsyeja për këto zgjedhje të parakohshme, sepse mund të priste edhe një vit, megjithatë ai vendosi që t’i shpallte zgjedhjet më herët.
Por rrëzimi i tij ndodhi nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, të cilat nuk ishin plotësisht të drejta, por të paktën ishin plotësisht të drejta për studentët, për opozitën, për të sjellë një ndryshim.’, u shpreh Michael Martens gjatë bisedës në SYRI TV.

