Ka zgjatur 7 orë qëndrimi i biznesmenit Behgjet Pacolli në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
‘Vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri tani në lidhje me aeroportin e Vlorës’ tha Pacolli për gazetarët që ishin jashtë derës së SPAK.
Pacolli nuk pranoi të japë më shumë detaje lidhur me dëshminë në SPAK por tha se gazetarët mund të flisnin me avokatin.
Ndërkohë nga burimet për SYRI-n, mësohet se ai është thirrur për t’u pyetur si person në dijeni lidhur me çështjen e aeroportit të Vlorës.
Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për tu pyetur lidhur me një hetim penal të aeroportit të Vlorës, ku SPAK ka marrë të pandehur 4 zyrtarë të MEI-t lidhur me paracaktimin e koncesionit.
Valon Lluka, një ish-bashkëpunëtor biznesi i Behgjet Pacollit, ndodhet në paraburgim në Kosovë pasi akuzohet për mashtrim. Ai administroi kompaninë koncesionare Vlora International Airport nga viti 2021 deri në vitin 2025; kohë kur dy ortakët u përfshinë në një konflikt për ndarjen e aksioneve. Ai u akuzua publikisht nga Pacolli për mashtrim dhe keqpërdorim të një prokure për shitje aksionesh, e cila u bë më pas shkak i konfliktit.
Dy aksionerët “Mabco Construction” dhe “2A Group” u përfshinë në një konflikt të ashpër gjyqësor në Shqipëri prej vjeshtës së vitit 2025, duke bllokuar ecurinë e punimeve në kantier. Në gusht të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private.

