Vuçiç humbi zgjedhjet në Serbi, Ministria e Jashtme shqiptare përgëzon shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin

Publikuar me datë:

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke përgëzuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Koalicionin Shqiptar për rezultatin e arritur në këtë proces zgjedhor.

Në reagimin zyrtar, Ministria thekson rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik, duke vlerësuar se përfaqësimi përmes institucioneve krijon mundësi për ndryshim, por sjell edhe përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet rezultatit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas projeksioneve paraprake të përmendura në reagim, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.

Ministria e Jashtme nënvizon se ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime.

Shqipëria përgëzon Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Zhvillimet në Serbi dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik. Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve.

Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë shënuar një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje. Sipas projeksioneve paraprake, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur. Ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime.

Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore. Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.

Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related