Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar ashpër vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe hetimin e çdo dështimi të mundshëm institucional.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kurti mbështeti iniciativën për krijimin e një komisioni parlamentar që do të hetojë rrethanat e rastit dhe përgjegjësitë e mundshme të institucioneve.
Ai propozoi gjithashtu dy ndërhyrje konkrete, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë që të veprojnë brenda një afati prej 72 orësh.
Sipas propozimit të tij, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ngarkojë strukturat kompetente të Policisë për të kryer një rishikim urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë.
Për secilin rast duhet të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtarët përgjegjës dhe bashkërendimi mes institucioneve qendrore dhe lokale, përfshirë zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë duhet të paraqesë brenda të njëjtit afat një raport të detajuar mbi reagimin ose mosveprimin e secilës hallkë të zinxhirit institucional në rastin e Arlinda Zekajt.
“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast.Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata. Sivjet janë vrarë tetë gra, na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e trashëgimi. Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne e kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti. Si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet që dështojnë t’i mbrojnë”, ka deklaruar Kurti.
- Albin Kurti

