Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë paralajmëruar një protestë kombëtare për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Ngjarja vjen në një vit tragjik për gratë në Kosovë, ku, sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë, tetë gra janë vrarë brenda familjes vetëm gjatë vitit 2026.
Në total, nga viti 2010 deri më 26 tetor 2026, në Kosovë janë regjistruar 67 gra të vrara nga familjarët. Shifra e këtij viti është më e larta e regjistruar gjatë periudhës së raportuar, duke rikthyer shqetësimin për dhunën ndaj grave dhe efektivitetin e masave të institucioneve për mbrojtjen e tyre.
Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila sipas raportimeve u godit për vdekje me sëpatë nga kunati i saj, “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” ka bërë thirrje për mobilizim kombëtar.
Protesta është paralajmëruar për të mërkurën, më 28 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Prej aty, pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Përmes një reagimi publik, Kolektivi ka akuzuar institucionet për neglizhencë në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke pretenduar se edhe Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë përpara se të vritej.
“Vrasja me sopatë e një gruaje prej kunatit mbrëmë është alarmi për luftën që iu është shpallur grave. Sikurse rastet tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave”, thuhet në reagimin e organizatës.
Kolektivi e ka cilësuar vrasjen e Zekajt si një tjetër dëshmi të dështimit institucional për të garantuar sigurinë e grave, duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari.
“Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit, i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shohë parësisht si prona të burrave”, thekson organizata në deklaratën e saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë, gjatë viteve 2018 dhe 2020 u regjistruan nga shtatë gra të vrara brenda familjes, ndërsa në vitin 2010 u shënuan gjashtë raste. Në vitin 2025 ishte regjistruar një rast, por gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 numri ka arritur në tetë viktima.

