Enver Hoxhaj: Fundi i eksperimentit 14-vjeçar të Vuçiçit, të cilit Evropa i besoi me naivitet dhe Ballkani ia pagoi çmimin

Publikuar me datë:

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar humbjen e Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare në Serbi si lajmin më të mirë për vendin dhe për të gjithë Ballkanin. Në një reagim në Facebook, Hoxhaj deklaron se rezultati shënon fundin e një modeli 14-vjeçar qeverisjeje, të cilin e akuzon për autokraci, korrupsion, izolim ndërkombëtar dhe destabilizim të rajonit.

Sipas ish-kryediplomatit kosovar, Vuçiçi arriti të siguronte për vite me radhë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke premtuar reforma dhe integrimin e Serbisë në BE, ndërsa në praktikë, sipas tij, forcoi lidhjet me Rusinë dhe Kinën.

Hoxhaj ka kritikuar drejtpërdrejt edhe Bashkimin Evropian, duke deklaruar se institucionet evropiane i besuan Vuçiçit pa rezerva.

“Duke qenë atëherë vetë ministër i Jashtëm, e di nga dora e parë sesi BE-ja pa asnjë rezervë e mbështeti dhe me naivitet i besoi”, shkruan ai.

Sipas Hoxhajt, presidenti serb përdori premtimin e integrimit evropian për të ruajtur pushtetin, ndërsa e shndërroi Serbinë në një platformë të ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.

“Vuçiç premtoi stabilitet, por solli autokraci dhe premtoi Evropë, por solli izolim. Premtoi reforma, por solli korrupsion, media të kontrolluara”, thekson ish-ministri.

Një pjesë të rëndësishme të reagimit të tij, Hoxhaj ia ka kushtuar politikës së Beogradit ndaj Kosovës. Ai akuzon Vuçiçin se ka nxitur vazhdimisht tensione në veri të vendit, duke përdorur krizat për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme politike në Serbi.

“Për 14 vjet, politika e Vuçiçit ndaj Kosovës ishte politikë për të mbajtur gjallë konfliktin dhe për të destabilizuar atë dhe rajonin”, deklaron Hoxhaj.

Ai e akuzon presidentin serb se, ndërsa në Bruksel paraqitej si mbështetës i dialogut, në terren nxiste tensione dhe nuk zbatonte marrëveshjet e arritura.

“Duke shpikur rolin e tij të zjarrvënësit dhe të zjarrfikësit, mbeti i obsesionuar për ta mbajtur peng Kosovën, në fakt e mbajti peng Serbinë”, shprehet Hoxhaj.

Ish-kryediplomati ka kritikuar gjithashtu politikën rajonale të Vuçiçit, duke përmendur mbështetjen për tendencat separatiste në Republikën Sërpska, ndërhyrjet në Mal të Zi dhe promovimin e doktrinës së ashtuquajtur “Bota Serbe”. Sipas tij, këto politika kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë në Ballkan dhe kanë penguar afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Hoxhaj vlerëson se protestat studentore dhe angazhimi i profesorëve treguan se ndryshimi politik mund të vijë nga mobilizimi qytetar.

“Studentët dhe profesorët i treguan se një shoqëri nuk çlirohet me urdhër nga lart. Çlirohet nga poshtë”, shkruan ai.

Megjithatë, Hoxhaj paralajmëron se humbja e Vuçiçit nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim i menjëhershëm i orientimit politik të Serbisë. Ai thekson se mbetet e paqartë se çfarë qëndrimesh do të mbajnë fituesit e zgjedhjeve, veçanërisht për çështjet rajonale dhe marrëdhëniet me Perëndimin.

Shkrimi i plotë:

Fundi i një eksperimenti 14-vjeçar dhe largimi nga skena i një nga figurave më të errëta për më shumë se 30 vjet.

Humbja e Aleksandër Vuçiçit është lajmi më i mirë për Serbinë dhe për Ballkanin. Për 14 vjet, Vuçiç shiti iluzionin se Serbia mund të reformohet nga brenda dhe të bëhet anëtare e BE-së në të njëjtën kohë. Duke qenë atëherë vetë ministër i jashtëm, e di nga dora e parë sesi BE-ja pa asnjë rezervë e mbështeti dhe me naivitet i besoi.

Që kur erdhi në pushtet në maj të 2012-s, Vuçiç kishte një narrativë dinake për Brukselin dhe Washingtonin: Më lini mua ta kontrolloj sistemin, dhe unë do ta çoj Serbinë në BE. Perëndimi e pranoi dhe për vite i besoi për arsye të shumta dhe të ndryshme, ndonëse si asnjëherë më parë e bëri Serbinë platformë të Rusisë dhe Kinës në Ballkan dhe Evropë.

Vuçiç premtoi stabilitet, por solli autokraci dhe premtoi Evropë, por solli izolim. Premtoi reforma, por solli korrupsion, media të kontrolluara. Studentët dhe profesorët i treguan se një shoqëri nuk çlirohet me urdhër nga lart. Çlirohet nga poshtë. Kjo humbje nuk është vetëm e Vuçiçit, por është fundi i modelit të autokratit që luan kartën e BE-së dhe shitet gjoja si partner i Perëndimit.

Për 14 vjet, politika e Vuçiçit ndaj Kosovës ishte politikë për të mbajtur gjallë konfliktin dhe për të destabilizuar atë dhe rajonin. Derisa në Bruksel ishte për “dialog”, në veri ndërtonte barrikada dhe dërgonte ushtarë e paramilitarë për të aneksuar territorin e saj. I nënshkroi disa marrëveshje në Bruksel, por kurrë nuk i zbatoi ato. Çdo herë kur i duhej ta largonte vëmendjen nga një krizë në Beograd, e ndezte një krizë në Mitrovicë.

Duke shpikur rolin e tij të zjarrvënësit dhe të zjarrfikësit, mbeti i obsesionuar për ta mbajtur peng Kosovën, në fakt e mbajti peng Serbinë. Kushdo tjetër sot ndoshta do e bënte Serbinë për 14 vjet qeverisje pjesë të BE-së ose afër anëtarësimit të saj. Por Serbia është më larg BE-së sot se në 2012, derisa më 2030 anëtarësimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë edhe mund të bëhet realitet.

Ballkani më i pasigurt se para 14 vjetëve. Me mbështetje të hapur për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe duke goditur Bosnjën, dhe me ndërhyrjet e shumëfishta në Mal të Zi – Vuçiç mori peng edhe Ballkanin, për aq gjatë sa ishte në pushtet. Sa ishte i ri luftoi për “Serbinë e Madhe”, sa ishte në pushtet doktrina e tij “Bota Serbe” në vend të “Botës Evropiane”.

Sot, me humbjen e tij, na mbetet të shohim a bie edhe kjo doktrinë dhe a do largohet ky myk antihistorik në Evropë. Ata që fituan zgjedhjet në Serbi nuk e dimë kush janë, çfarë mendojnë dhe si në pushtet do veprojnë, por e rigjejnë veten ata për të mirë ose edhe për të keq, varet shumë sesi do sillen BE-ja dhe SHBA-ja me ta. Ndryshimi i pushtetit nuk shndërrohet patjetër në ndryshim të qëndrueshëm orientimi.

Pas kaq vitesh në politikë mësova këtë: pushteti është gjithmonë më i shkurtër se sa duket ditën kur e fiton, dhe gjëja e vetme që mbetet është se çfarë i le vendit kur ikën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related