“I rrëmbejnë në rrugë dhe i detyrojnë të shkojnë në luftë”, CNN zbulon rekrutimin e fshehtë të Putinit në Rusi

Publikuar me datë:

Rusia po përballet me akuza të rënda për rekrutimin e detyruar të qytetarëve dhe dërgimin e tyre në frontin e luftës në Ukrainë. Një investigim i CNN zbulon dëshmi tronditëse të familjarëve, sipas të cilëve burra rusë, shpesh me probleme shëndetësore apo ekonomike, merren me forcë nga rrugët dhe detyrohen të nënshkruajnë kontrata ushtarake. Disa prej tyre janë zhdukur vetëm pak javë pasi janë dërguar në luftë, ndërsa familjet nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre. Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se raste të tilla po shtohen, duke ngritur dyshime për një mobilizim të fshehtë ushtarak. Kjo situatë vjen në një kohë kur Rusia ndodhet në vitin e pestë të luftës kundër Ukrainës dhe përballet me nevojën për të plotësuar radhët e ushtrisë.

Sipas CNN, ndërsa më parë Moska mbështetej kryesisht te shpërblimet e mëdha financiare për të tërhequr vullnetarë, tani po shtohen dëshmitë për përdorimin e presionit, kërcënimeve dhe mashtrimit. Një qytetar rus, i cili foli në kushte anonimiteti, tregoi se xhaxhai i tij 50-vjeçar, me probleme të rënda shëndetësore dhe varësi nga alkooli, u detyrua të hipte në një makinë nga disa burra me rroba civile.

Sipas dëshmisë së tij, burrit iu dha të nënshkruante një dokument që më vonë rezultoi të ishte kontratë për t’u bashkuar me ushtrinë ruse. Një javë më pas ai u zhduk nga banesa, ndërsa familja mësoi se ishte dërguar në një kamp stërvitor në Luhansk, në Ukrainën lindore. Në fund të shtatorit, ai u raportua i zhdukur në luftë. “Kam probleme me gjumin. Ndonjëherë shoh makthe sikur më kapin jashtë shtëpisë”, rrëfeu familjari për CNN. Një histori të ngjashme tregoi edhe një tjetër qytetar rus, vëllai i të cilit dyshohet se u mor me forcë në muajin korrik, ndërsa ndodhej në gjendje të dehur. Pavarësisht pretendimeve të familjes, prokuroria ushtarake vendase deklaroi se burri kishte nënshkruar kontratën me vullnetin e tij të lirë. Më pak se një muaj më vonë, edhe ai u raportua i zhdukur. Avokati ushtarak rus Artyom Kliga, me bazë në Berlin, deklaroi për CNN se që prej fillimit të verës ka vënë re një rritje të ndjeshme të rasteve të rekrutimit të detyruar.Sipas tij, objektivat kryesore janë burrat në gjendje të vështirë ekonomike, me probleme shëndetësore, borxhe apo varësi nga alkooli, të cilët shpesh nuk i njohin të drejtat e tyre.

Një tjetër element shqetësues i zbuluar nga investigimi lidhet me pagesat që autoritetet rajonale ruse u ofrojnë personave që ndihmojnë në rekrutimin e ushtarëve të rinj. Në rajonin Ryazan, guvernatori Pavel Malkov ka njoftuar shpërblime nga 50 mijë deri në 300 mijë rubla për çdo person që ndihmon në sigurimin e një kontrate ushtarake. CNN ka identifikuar reklama dhe skema pagesash në disa rajone, të cilat nxisin qytetarët të gjejnë burra të gatshëm të regjistrohen në ushtri. Megjithatë, media amerikane thekson se nuk ka mundur të verifikojë nëse personat që dyshohet se rrëmbejnë burra në rrugë veprojnë për të përfituar këto shpërblime. Ndërkohë, në qytetin Penza janë publikuar video ku gra shihen duke rrethuar autobusë me rekrutë dhe duke kërkuar lirimin e familjarëve të tyre. Ministria ruse e Mbrojtjes i ka mohuar pretendimet për rekrutim të detyruar në këtë qytet.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar vazhdimisht se qytetarët rusë regjistrohen vullnetarisht në ushtri, duke hedhur poshtë akuzat për mobilizim të detyruar. Megjithatë, dëshmitë e mbledhura nga CNN dhe organizatat e të drejtave të njeriut paraqesin një realitet tjetër, ku frika nga dërgimi në front po shtyn edhe të rinjtë të largohen nga vendi. Një 21-vjeçar rus, i identifikuar me pseudonimin Igor, tregoi se u largua nga Rusia pasi ishte përballur dy herë me presion për të nënshkruar kontratë ushtarake. “Kisha frikë se dikush tjetër do të nënshkruante në emrin tim. Kisha frikë se kufijtë do të mbylleshin dhe nuk do të mund të largohesha kurrë”, rrëfeu ai. Ekspertët theksojnë se presioni për rekrutimin e ushtarëve mund të vijë edhe nga autoritetet rajonale, të cilat duhet të përmbushin kuotat e përcaktuara, pa qenë domosdoshmërisht rezultat i një urdhri të drejtpërdrejtë nga Kremlini.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Zbardhen detajet nga mbledhja e Ramës me socialistët, çfarë u diskutua në grupin parlamentar të PS-së

Zbardhen detaje nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të hënë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur prej dy javësh vendi po përballet me protesta intensive të studentëve. Gazetari Ergys Gjençaj raporton për BalkanWeb se gjatë mbledhjes, kryeministri u ka prezantuar deputetëve socialistë paketën e masave të […]

Balla: Ligji për tubimet do të hyjë menjëherë në fuqi

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi...

“Protestat për korrupsion çuan në rrëzimin e Vuçiçit”, CNN: Beogradi shpërtheu në festime

Udhëheqësi i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pranoi humbjen të dielën...