Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër vijon të jetë një ndër ndalesat e rëndësishme për vizitorët që duan të njihen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Gjatë sezonit veror, institucioni ka regjistruar interes të vazhdueshëm, veçanërisht nga turistë amerikanë, polakë dhe italianë, por edhe nga vende të tjera.
Specialisti i muzeut, Xherardo Nikjari, vlerëson se ky interes dëshmon rëndësinë që ka njohja me të kaluarën historike të vendit, përmes dëshmive që ruhen në këtë objekt.
Ndër hapësirat që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorëve janë qelitë ku mbaheshin të burgosurit politikë. Ato përbëjnë një dëshmi të drejtpërdrejtë të vuajtjeve dhe përndjekjeve të ushtruara gjatë regjimit komunist, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të kuptojnë më nga afër realitetin e asaj periudhe.
Përtej vlerave turistike, muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” mbetet një vend me rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përcjelljen te brezat e rinj të historisë së një prej periudhave më të dhimbshme të Shqipërisë.

