Galeria e Arteve Shkodër ka nisur përgatitjet për edicionin e ardhshëm të Çmimit Idromeno, duke prezantuar një format të ri pune të titulluar “Punëtoria Idromeno”. Nisma synon t’u japë artistëve të përzgjedhur mundësinë të zhvillojnë dhe të përpunojnë idetë e tyre përpara prezantimit në ekspozitën përfundimtare.
Nën drejtimin e kuratorit Oltsen Gripshi, punëtoria shërben si një hapësirë bashkëpunimi dhe diskutimi, ku kërkimet artistike dhe propozimet e pjesëmarrësve marrin formë përmes shkëmbimit të ideve dhe dialogut krijues.
Artistët e përzgjedhur përmes aplikimeve kanë nisur tashmë diskutimet mbi punët dhe konceptet që do të paraqesin në edicionin e vitit 2027, i cili do të zhvillohet rreth temës “Periferia dhe tranzicioni drejt qendrës”.
I organizuar tradicionalisht nga Galeria e Arteve Shkodër, Çmimi Idromeno mban emrin e Kolë Idromenos, një prej figurave të rëndësishme të artit shqiptar. Ky aktivitet përbën një hapësirë promovimi për artistët e rinj dhe një nga veprimtaritë e njohura në fushën e arteve pamore në vend.

