Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e re e Kosovës me 81 vota në Kuvend, duke i dhënë fund krizës institucionale dhe shmangur zgjedhjet e reja. Ekonomiste, profesoreshë dhe akademike, Pula ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave, deputete e PDK-së dhe kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur Presidentja e re e Kosovës, duke marrë 81 vota në Kuvend. Zgjedhja e saj i dha fund krizës institucionale dhe shmangu mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.
Por kush është presidentja e re?
Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike. Ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Zagreb. Ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës dhe karrierën akademike e ka zhvilluar për dekada në Fakultetin Ekonomik. Përveç angazhimit në universitet, ajo ka mbajtur edhe poste të rëndësishme publike.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ishte Ministre e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e Kosovës, ndërsa nga viti 2011 deri në vitin 2014 deputete e Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Një tjetër etapë e rëndësishme ishte Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Shiroka Pula u zgjodh anëtare korrespondente në vitin 2016 dhe akademike e rregullt në vitin 2020. Në dhjetor 2025 mori drejtimin e ASHAK-ut, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni. Me një karrierë të ndërthurur mes ekonomisë, akademisë dhe politikës, Shiroka Pula merr postin më të lartë shtetëror, duke deklaruar se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të mbrojë Kushtetutën, institucionet dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

