Ekspozita “Arkitektura Popullore përgjatë pellgut liqenor të Shkodrës” zhvilloi sot ndalesën e radhës në mjediset e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Studentët, veçanërisht ata që këtë vit u ulën për herë të parë në auditoret universitare, patën mundësinë të njihen nga afër me pasuritë kulturore dhe tiparet e arkitekturës tradicionale të dy krahinave të lidhura historikisht me njëra-tjetrën.
Në fokus të ekspozitës janë Kraja në Malin e Zi dhe krahina e MbiShkodrës, të cilat ndër shekuj kanë ruajtur lidhje të ngushta historike dhe kulturore, duke ndikuar edhe në zhvillimin e traditave të ndërtimtarisë.
Përmes materialeve të ekspozuara, studentët u njohën me elementet karakteristike të banesave tradicionale, mënyrën e ndërtimit dhe trashëgiminë arkitekturore të këtyre trevave, duke sjellë në vëmendje një pjesë të rëndësishme të pasurisë kulturore të zonës së Shkodrës dhe hapësirës përreth saj.

