Kulla tek Parku Rinia, kritika e fortë e gazetarit holandez: Projekt i kopjuar, dembel dhe pa frymëzim

Publikuar me datë:

Projekti i studios daneze BIG për ndërtimin e një kulle në Parkun Rinia në Tiranë është vënë në qendër të kritikave nga gazetari Vincent Yūsui van Gerven Oei.

Në një artikull të publikuar në The Albanian Mechanism, Van Gerven Oei ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si u zhvillua konkursi për projektin, por edhe mbi vetë arkitekturën e kullës së propozuar në një prej hapësirave të gjelbra të qendrës së Tiranës.

Sipas gazetarit, konkursi nuk ishte bërë publik përmes faqeve qeveritare të prokurimeve. Ai sjell në vëmendje edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama se juria po vendoste “krejtësisht e lirë” dhe “pa asnjë orientim”, duke pretenduar se Rama vetë kishte marrë pjesë në intervista dhe diskutime gjatë procesit.

Van Gerven Oei vëren se BIG, e vetmja studio për të cilën Rama kishte shprehur publikisht një sugjerim, rezultoi fituese e konkursit.

Në artikull citohet edhe reagimi i Bjarke Ingels, i cili tha se kuptonte “dëshirën dhe lidershipin” e Ramës për “gjëra të bukura”.

“Elementet janë marrë nga ‘Cloud’ i Fujimotos”

Kritika e gazetarit nuk ndalet te procesi i konkursit, por përqendrohet veçanërisht te ngjashmëria që ai sheh mes kullës së BIG dhe instalacionit “Cloud” të arkitektit japonez Sou Fujimoto.

Instalacioni u vendos në vitin 2016 në hapësirën përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, përballë Parkut Rinia, fillimisht si një strukturë e përkohshme.

Van Gerven Oei argumenton se elementet kryesore të “Cloud” – rrjeti i bardhë tredimensional dhe disqet e sheshta të mbivendosura – janë përdorur si bazë formale për projektin e kullës së BIG.

“Duket se Ingels thjesht hodhi një vështrim përtej bulevardit nga Parku Rinia, pa re mbetjet e trishta të ‘Cloud’ të Sou Fujimotos, mori emrin dhe thjesht vendosi një version të zmadhuar të saj mbi shtylla”, shkruan gazetari.

Sipas tij, fakti që kulla do të ndërtohet në një monument kulture dhe në një prej hapësirave të fundit të gjelbra në qendër të Tiranës do të duhej të kërkonte një qasje që merr parasysh më shumë kontekstin urban dhe banorët.

Kritika edhe për projektin e Teatrit Kombëtar

Në shkrim, gazetari rikthehet edhe te një tjetër projekt i BIG në Tiranë, ai i Teatrit Kombëtar.

Van Gerven Oei pretendon se në atë rast Ingels kishte marrë në mënyrë të konsiderueshme elemente nga një projekt i paraqitur në konkursin për Shtëpinë e Operës në Busan nga Forma Architects.

Duke iu referuar projektit të ri në Parkun Rinia, gazetari e përshkruan punën e BIG si “dembele”, “të pa frymëzuar” dhe “derivative”, duke argumentuar se një ndërtesë e tillë nuk merr mjaftueshëm parasysh kontekstin ku do të vendoset.

Në fund të artikullit, Van Gerven Oei e zgjeron kritikën edhe ndaj marrëdhënies mes arkitektëve ndërkombëtarë, projekteve të mëdha të zhvillimit urban dhe qeverisjes së Edi Ramës.

Shkrimi është publikuar në The Albanian Mechanism më 1 tetor, pas shpalljes së BIG si fituese e konkursit për projektin e kullës në Parkun Rinia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related