Aldor Nini, drejtuesi i “Acromax”, ka komentuar mbi publikimin e videove private të kompozitorit Adrian Hila.
Nini tha se, sipas tij, shpërndarja e këtyre materialeve po realizohet në mënyrë të koordinuar nga individë me përvojë në menaxhimin e informacionit dhe mediave.
“Pse ka ndodhur ky publikim? Shantazh nuk është bërë ndaj Hilës. Dje, në 12 të natës, doli një video ku thuhej: ‘Këtë e kam alarm, unë këtu fle me vajzën time’. Pra, dikush po ndjek mediat dhe po publikon videon e radhës, në mënyrë që ai ta zgjerojë narrativën që ai do që ne ta besojmë”, u shpreh Nini.
Sipas Ninit, mënyra dhe koha kur janë publikuar këto materiale lënë të kuptohet se mund të kemi të bëjmë me një skenar të strukturuar, edhe pse ai deklaron se nuk di se kush është përgjegjës për publikimet.
“Ka një dorë goxha profesionale që po merret me këtë çështje. Të gjitha faqet që janë marrë në mënyrë ekstreme me revolucionin e flamingos nuk po publikojnë më për protestën, por kanë kaluar te halli i videos”, tha ai.
Nini e përshkroi këtë ngjarje si një “sulm”, duke theksuar se ende mbetet e paidentifikuar pala që po merret me publikimin dhe shpërndarjen e videove intime.
“Mendoj që ky është një sulm, nuk e di se nga kush”, përfundoi ai.

