Elon Musk, miliarderi i njohur i teknologjisë, do të rikthehet në një rol këshillimor pranë administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, këtë herë si pjesë e një iniciative të re të Pentagonit që ka për qëllim studimin e të ardhmes së luftës.
Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, bëri të ditur të mërkurën nga baza ushtarake Quantico nisjen e “Projektit Meridian”. Kjo nismë, sipas deklaratës së tij, do të përqendrohet te integrimi i teknologjisë dhe inovacionit për të vlerësuar dhe parashikuar zhvillimet e ardhshme në fushën ushtarake.
Së bashku me Palmer Luckey, bashkëthemelues i kompanisë së teknologjisë së mbrojtjes Anduril Industries, dhe ish-kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, Musk do të marrë drejtimin e këtij projekti.
Më parë, Musk ka drejtuar Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), ku ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e shkurtimeve të vendeve të punës në administratën federale, deri në largimin e tij nga kjo detyrë në maj të vitit 2025.
Ndërkohë, kompanitë e tij vazhdojnë të kenë kontrata të rëndësishme me Pentagonin. SpaceX po punon për ndërtimin e rrjeteve satelitore që i shërbejnë programit të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, ndërsa kompania xAI, e specializuar në inteligjencë artificiale, ka arritur një marrëveshje që i mundëson ushtrisë amerikane të përdorë chatbot-in Grok në sisteme të klasifikuara.
Gjatë fushatës presidenciale të 2024, Musk mbështeti Trumpin dhe luajti një rol të dukshëm, por më pas raportet mes tyre u tensionuan publikisht për shkak të një projektligji shpenzimesh të administratës.
Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Muskut dhe Trumpit kanë njohur përmirësime, dhe Musk është parë përsëri në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse më rrallë sesa gjatë periudhës kur ishte pjesë e administratës Trump.

