Qytetarët që kanë çështje të pazgjidhura mbi pronat mund të drejtohen çdo të mërkurë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ku zhvillohen takime të drejtpërdrejta me drejtuesin e institucionit, Valdrin Pjetri.
“Dita e Hapur” është kthyer në një praktikë të përjavshme që prej 1 qershorit, pas marrjes së detyrës nga Pjetri. Gjatë takimeve, qytetarë nga qarqe të ndryshme paraqesin problematikat e tyre dhe marrin informacion mbi hapat që duhet të ndjekin për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë.
Në takime diskutohen kryesisht dosjet e pronave, proceset e njohjes së pronësisë, kompensimi dhe çështje të tjera që lidhen me trajtimin e pronave.
Përveç drejtuesit të ATP-së, në këto takime janë të pranishëm edhe specialistë të institucionit, të cilët japin sqarime konkrete për problematikat e paraqitura nga qytetarët.
Takimet me qytetarët zhvillohen çdo të mërkurë dhe pritet të vijojnë edhe në javët në vazhdim, duke ofruar një mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë me Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

