Liderë politikë nga mbarë globi janë mbledhur këtë javë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me temën e ndryshimeve klimatike që dominon diskutimet përgjatë Javës së Klimës.
Aktivitetet e këtij viti zhvillohen njëkohësisht me Asamblenë e Përgjithshme, në një sfond të shënuar nga valë të paprecedentë të temperaturave të larta, përmbytje, zjarre dhe fenomene të tjera ekstreme të motit në rajone të ndryshme të botës.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, i cili hapi zyrtarisht Javën e Klimës, vuri në dukje se komuniteti shkencor ka paralajmëruar prej kohësh për intensifikimin dhe shpeshtimin e ngjarjeve ekstreme të motit.
“Ngjarjet ekstreme të motit në shkallë globale kanë qenë gjithmonë të rrezikshme. Por shkenca na ka paralajmëruar qartë se, ndërsa planeti ngrohet, këto ngjarje do të bëhen më të shpeshta dhe intensive”, tha Albanese.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe përvoja e Islandës me zhvendosjen nga karburantet fosile drejt energjisë së gjelbër. Kryeministrja islandeze, Kristrún Frostadóttir, solli si ilustrim rrugën që ndoqi vendi i saj drejt burimeve të rinovueshme, nënvizuar nga kalimi i shpejtë te energjia gjeotermale pas krizës globale të naftës në vitet 1970.
Në atë kohë, pjesa më e madhe e banesave në Islandë mbështeteshin te nafta e importuar për ngrohje. Frostadóttir tha se kjo krizë i shtyu drejt investimeve në burimet e brendshme të energjisë që kishte vendi.
“Sot, pothuajse çdo shtëpi në Islandë ngrohet me burime të rinovueshme të energjisë, me më shumë se 90% të ngrohjes që vjen nga energjia gjeotermale”, tha ajo.
Kryeministrja theksoi se ndryshimi kërkoi vullnet politik, mbështetje financiare për familjet si dhe një bashkëpunim ndërpartiak që kaloi përtej disa qeverive radhazi.
Java e Klimës shërbeu gjithashtu si platformë për të nxjerrë në pah ndërlidhjen mes krizës klimatike dhe çështjeve të sigurisë kombëtare.
Selwyn Hart, ndihmës sekretar i përgjithshëm i OKB-së për veprim klimatik, theksoi se zhvillimet e fundit gjeopolitike dëshmojnë domosdoshmërinë për të nxitur braktisjen e karburanteve fosile.
Ed Miliband, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, paralajmëroi për rreziqet që sjell varësia ndaj karburanteve fosile, duke apeluar që klima dhe natyra të integrohen në politikat e sigurisë kombëtare, vlerësimin e kërcënimeve dhe planet e emergjencave.
Miliband vuri në dukje se krizat që fillojnë në një vend mund të përhapen lehtësisht në vende të tjera, përmes zinxhirëve të furnizimit, tregjeve financiare apo migracionit.
Edhe bizneset kanë rritur angazhimin në investimet për energji të rinovueshme dhe eficiencë energjetike. Karen Pflug, drejtore e qëndrueshmërisë në Ingka Group, u shpreh se përmirësimi i eficiencës së energjisë ka sjellë kursime të rëndësishme për kompaninë.
Gjatë ditës së parë të Javës së Klimës, diskutimet u përqendruan te domosdoshmëria e përshpejtimit të tranzicionit energjetik, pavarësisht sfidave ekonomike apo krizave të ndryshme globale.
Frostadóttir theksoi se liderët duhet të ndërmarrin masa proaktive përpara se pasojat e ndryshimeve klimatike të thellohen edhe më shumë.
“E vetmja pyetje e vërtetë që u mbetet udhëheqësve është se çfarë duhet për të vazhduar të ecim përpara më shpejt se turbulencat që ende nuk na kanë goditur”, u shpreh ajo.
“Përgjigjja jonë, nga një ishull i vogël në Atlantikun e Veriut, është kjo: filloni përpara se të detyroheni. Ndërtoni qëndrueshmëri përpara se kriza ta vërë në provë atë”, shtoi kryeministrja islandeze.
Java e Klimës organizohet çdo vit në Nju Jork që prej 2009-ës. Sipas organizatorëve, ky edicion është më i madhi deri sot, me mbi 100 mijë pjesëmarrës, përfshirë politikanë, përfaqësues biznesi dhe të shoqërisë civile.
Megjithatë, organizatorët kanë ngritur shqetësimin për fenomenin e njohur si “heshtje klimatike”, që i referohet shmangies së debatit publik për krizën klimatike nga liderë të politikës dhe biznesit, në një kohë kur fokusi global është zhvendosur te luftërat, inflacioni dhe sfidat ekonomike.

