Nga Alba Kepi/
Operacioni u zhvillua në territorin e Bernaldës, në provincën e Materës, gjatë kontrolleve të shtuara kundër trafikut të lëndëve narkotike. Efektivët e Guardia di Finanza ndaluan për kontroll një SUV, në të cilin udhëtonin dy të rinjtë.
Sipas autoriteteve italiane, sjellja nervoze e dy personave gjatë kontrollit ngriti dyshime te efektivët, të cilët vendosën të kryenin një kontroll më të imtësishëm të automjetit.
Me ndihmën e repartit antidrogë, autoritetet zbuluan një ndarje të posaçme të fshehtë të ndërtuar në strukturën metalike të automjetit, poshtë sediljeve të përparme. Brenda saj u gjetën shtatë pako me lëndë narkotike, e cila rezultoi të ishte kokainë, me peshë totale rreth 7.5 kilogramë.
Dy shtetasit kosovarë u arrestuan dhe, me urdhër të autoriteteve gjyqësore, u dërguan në burgun e Materës. Gjykata ka konfirmuar sekuestrimin e kokainës dhe automjetit, si dhe masën e arrestit ndaj tyre.

