Qarku i Lezhës u përball edhe këtë verë me një situatë të vështirë nga zjarret, të cilat prekën kryesisht territoret e Lezhës dhe Mirditës. Përveç sipërfaqeve të mëdha pyjore dhe pemëve frutore, flakët dogjën 12 banesa, ndërsa në disa raste u shkrumbuan edhe kasolle me bagëti brenda. Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë territorin e Qarkut të Lezhës zjarret kanë përshkuar rreth 2500 hektarë pyje, pjesa më e madhe e të cilave në territorin e Bashkisë Mirditë.
Deri më tani nuk ka një faturë të plotë financiare për dëmet e shkaktuara nga zjarret. Vlerësimi i dëmeve do të përcaktojë edhe mënyrën e ndërhyrjes për familjet e prekura.
Në rast se vlera e dëmeve tejkalon fondin që bashkitë kanë në dispozicion për emergjencat dhe mbrojtjen civile, do të kërkohet mbështetja e qeverisë për kompensimin e familjeve të dëmtuara.
Pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit u shënua gjatë muajve gusht dhe shtator, ku një pjesë e tyre dyshohet se kanë qenë të qëllimshme, ndërsa të tjera janë shkaktuar nga pakujdesia.
Në kuadër të hetimeve për zjarrvëniet, janë identifikuar dhe ndaluar tre persona.

