Një grua shqiptare 42-vjeçare ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në Itali, pasi u godit nga një kamion i mbledhjes së mbeturinave ndërsa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
E ndjera, Lavdije Isteri, ishte nënë e tre fëmijëve dhe jetonte prej vitesh në Passarella di San Donà di Piave me bashkëshortin dhe familjen.
Ngjarja fatale ndodhi në rrugën “Paolo VI”, pak minuta para orës 08:00. Isteri po kalonte vijat e bardha në atë moment, kur një kamion i kompanisë Alisea, që punon për Veritas, e përplasi.
Sipas hetimit fillestar, kamioni po kthehej djathtas me shpejtësi shumë të limituar, pikërisht kur 42-vjeçarja po kalonte në atë që kompania e përshkruan si “pikë të verbër” të automjetit.
As shoferi 59-vjeçar dhe as një punonjës tjetër që ndodhej në pjesën e pasme të kamionit nuk e vunë re gruan para përplasjes.
Vajza 9-vjeçare, të cilën Lavdije Isteri po e çonte në shkollën fillore “Marco Polo”, nuk pësoi lëndime. Një dëshmitare tha se vajza kishte kaluar rrugën përpara nënës, duke qenë disa metra larg në çastin kur ndodhi përplasja tragjike.
Pas aksidentit, mësuesit e shoqëruan menjëherë 9-vjeçaren në ambientet e shkollës. Në vendngjarje mbërritën edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, të moshës 20 dhe 18 vjeç. Të tre u transportuan në spital, ndërsa ekipet shëndetësore ofruan mbështetje psikologjike.

