Në ditën kur mijëra nxënës në të gjithë vendin iu rikthyen bankave, në Muriqan situata është krejt ndryshe. Shkolla e vetme e zonës është mbyllur, duke lënë fëmijët pa mundësinë për të ndjekur mësimin pranë komunitetit ku jetojnë.
Denoncimi vjen nga ish-kandidatja për deputete, Senada Mehmeti, e cila ngre shqetësimin për mbylljen e institucionit arsimor dhe mungesën e një zgjidhjeje konkrete për nxënësit.
Sipas saj, çështja nuk duhet parë vetëm nga numri i nxënësve që kanë mbetur në zonë, por nga mënyra se si institucionet po përballen me largimin e banorëve dhe pasojat që kjo sjell për komunitetin.
Bashkia Shkodër dhe Ministria e Arsimit pritet të sqarojnë arsyet e mbylljes së shkollës, si dhe se ku dhe në çfarë kushtesh do të vijojnë mësimin fëmijët e Muriqanit.
Mbyllja e shkollës është një tjetër shqetësim për zonat që po përballen me shpopullimin, ku largimi i familjeve po sjell edhe tkurrjen e shërbimeve bazë për banorët që kanë mbetur.

