Mbahet sot protesta e 105-të kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Tubimi, i cili është parashikuar të nisë në orën 19:30, pritet të mbledhë sërish qytetarë nga Tirana dhe qytete të ndryshme të vendit, ndërsa protestës do t’i bashkohet edhe diaspora shqiptare.
Edhe në protestën e djeshme, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku u stacionuan për të vijuar tubimin kundër qeverisë.
Në fokus të protestës së sotme pritet të jenë edhe zhvillimet e fundit që kanë prekur shqiptarët jashtë vendit. Një ditë më parë u denoncua një ngjarje e rëndë në Nikshiq të Malit të Zi, ku qytetarë shqiptarë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës për t’iu bashkuar protestës, u bllokuan nga autoritetet malazeze dhe nuk u lejuan të vijonin rrugëtimin.
Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës, ndërsa protesta e 105-të pritet të zhvillohet sërish përpara Kryeministrisë, në orën 19:30.
Tubimi i sotëm shihet gjithashtu si një tjetër përpjekje për të bashkuar qytetarët brenda vendit me diasporën në një aksion të përbashkët kundër qeverisë Rama.

