Rreth 100 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga autoritetet greke në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me trëndafila të ardhur nga Kolumbia.
Operacioni u zhvillua të mërkurën nga oficerët e AADE-së, pas informacionit të marrë nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona, shumica e tyre shtetas shqiptarë. Katër prej tyre u vunë në pranga në aeroport, ku dyshohet se do të merrnin ngarkesën me drogë.
Dy personat e tjerë u arrestuan në zonën e Maratonës, ku autoritetet dyshojnë se droga po transportohej dhe ruhej.
Në hetimin e zhvilluar nga shërbimet e AADE-së kanë asistuar edhe oficerë të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe rolit të secilit prej të arrestuarve.

