Kristjan Asllani është prezantuar si lojtari më i ri i Al Jazira në Abu Dhabi, pas huazimit nga Interi. Marrëveshja përfshin një detyrim blerjeje, i cili aktivizohet nëse plotësohen disa kushte specifike.
Kontrata parashikon që, në rast se Asllani zhvillon 20 paraqitje gjatë këtij sezoni, Al Jazira do të jetë e detyruar të blejë kartonin e tij. Klubi arab ka paguar 1.5 milionë euro për marrëveshjen e huazimit, ndërsa për kalimin përfundimtar do t’i duhet të shpenzojë edhe 5 milionë euro të tjera.
Al Jazira, që përfaqëson Abu Dhabin, garon në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Sezoni i ri ka nisur së fundmi dhe ekipi ka siguruar fitore në të dy ndeshjet e para.
Me këtë transferim, Asllani i bashkohet edhe disa futbollistëve të tjerë të Kombëtares shqiptare që luajnë në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, në këtë rajon aktivizohen gjithashtu Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani.

