Korça mirëpriti hapjen e edicionit të 13-të të KOKOFEST, Festivalit Ndërkombëtar të Komedisë, i cili për dhjetë ditë do të mbledhë artistë, shfaqje dhe humor nga Shqipëria dhe rajoni. Festivali nisi me muzikalen “Katedralja” nën regjinë e Xhuljano Briskut dhe do të zgjasë deri më 6 shtator, duke ofruar një program të larmishëm artistik.
Brisku u shpreh: “Besoj se ia dola, sepse shfaqjet e dhjetorit pashë në vrull një dashuri nga publiku. Tani e kemi më të lehtë. Këtë herë është festival prestigjioz si KOKOFEST. Katedralja është më e njohura në gjithë botën. Gjashtë muaj më hëngri jetën pak e nga pak, shkoi mirë dhe pata suport nga gjithë ekipi”.
Zamir Kita, drejtoreshë e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, theksoi se ky edicion sjell disa risi, pasi për herë të parë në festival marrin pjesë edhe studentë të artit dramatik.
Kita shtoi: “KOKOFEST vjen ndryshe. Së pari është 9 ditë, shumë i gjatë, 9 shfaqje. Nuk kemi pasur kaq shumë ndonjëherë. Kemi shfaqje të të rinjve. Besoj do të shkojë mbarë, do qeshim, do gëzojmë”.
Aktorët Alfred Trebicka dhe Jorgaq Tushe, nga ana e tyre, e konsiderojnë KOKOFEST një platformë të çmuar jo vetëm për aktorët dhe regjisorët, por edhe për audiencën që përjeton emocione dhe të qeshura përmes komedisë.
Trebicka tha: “Humori shqiptar ka pasur një fizionomi të vetën që ka qenë shumë unike. Sigurisht, me ndryshimin e kohërave, ndryshon qasja e humorit, mënyra e të bërit humor. Gama është shumë e gjerë, njerëzit jetojnë me nostalgji. Nuk është kollaj të konfirmohesh në humor. Humori është privilegji i njerëzve inteligjentë”.
Ndërsa Tushe theksoi: “KOKOFEST e kaloi sferën e Korçës, është kombëtare. Kjo është gjëja më e mirë që ka ky festival. Atyre që shkruajnë u mungojnë, por ka të rinj që duan të imitojnë të parët”.
Për natën e dytë të festivalit, në skenën e Teatrit të Korçës do të prezantohet Teatri “Petro Marko” i Vlorës me shfaqjen “Plaçka” të Joe Orton.

